5980 - Galeria_single | MMPH

Me qëllim të planifikimit dhe zhvillimit të politikave për promovimin e shfrytëzimit të veturave elektrike në Republikën e Kosovës, sot u zhvillua tryeza e diskutimit me temën “Transporti elektrik në Kosovë”.

 

Gjatë këtij takimi u diskutua me akterë relevantë të sektorit të makinave, njohës të fushës së transportit elektrik, si dhe shoqatën e importuesve të veturave elektrike në Kosovë. Si çështje kryesore në tryezën e diskutimit, u theksua që përmes angazhimit të përbashkët të MMPHI-së dhe të gjithë akterëve relevantë, të gjenden modalitete të ndryshme për praktikat më të mira lehtësuese për veturat elektrike, stacionet mbushëse, dhe mjetet e tjera elektrike, me theks të veçantë për masat e nevojshme e inkurajuese që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndërmerrë për promovimin e shfrytëzimit të veturave elektrike, për një transport më të qëndrueshëm në Kosovë, e një mjedis më të pastër.

 

Në këtë tryezë përmes prezantimeve dhe debateve interaktive u diskutua për rregullativën e BE-së për EURO7 që pritet të votohet në fillim të vitit 2022, si dhe rrezikun për rritje të importit të veturave të dorës së dytë në Kosovë. Për shkak të hyrjes në fuqi të EURO7 në BE, si dhe zotimit të prodhuesve të veturave për ndalim të prodhimit të veturave me djegie të brendshme dhe mbylljes së linjave të prodhimit të tyrë, Kosova rrezikon një valë të re të importit të veturave të dorës së dytë me djegie të brendshme, e kësi soji u rekomandua që të ndërmerren masa inkurajuese e lehtësuese si: 

 

• Largimi i TVSH-së për veturat/mjetet elektrike

• Ulja e TVSH-së në 50% për veturat/mjetet hibride

• Largimi i doganës dhe akcizës për veturat/mjetet elektrike 

• Largimi i taksës së regjistrimit të veturave/mjeteve elektrike dhe ulje 50% për veturat/mjetet hibride

• Largimi i TVSH-së për stacionet mbushëse të shpejta

• Subvencionimi i operatorëve të rrjetit të pikave të mbushjes për çdo stacion të instaluar.

 

Për fund, Ministri Liburn Aliu, i falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, dhe shprehu bindjen se kjo frymë e koordinimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej, duke theksuar se lidershipi politik për t’ju përshtatur ndryshimeve klimatike, minimizimit të ndotjës së ajrit nga faktorë të ndryshëm, si dhe dekarbonizimit, është thelbësor për suksesin afatgjatë, dhe transformimin sektorial ekonomik të vendit dhe të gjithë rajonit në përgjithësi.