5967 - Galeria_single | MMPH

Bashkë me Koordinatorin midis dy qeverive Kosovë dhe Shqipëri, z. Gentian Sala, Këshilltarin e Jashtëm të Ministrisë së Ekonomisë, z. Milot Kelmendi, drejtorin e “Tirana Connectivity Forum”, z. Ardian Hackaj, po qëndrojmë në vizitë zyrtare në Bari, Itali. Shoqëruar nga Ambasadorja e Kosovës në Itali, znj. Lendita Haxhitasim, sot kemi vizituar ndërmarrjet e sektorit hekurudhor dhe logjistik të Puglias, në Bari.

 

Në vizitën e realizuar në Portin e thatë të Puglias, “Interporto regionale della Puglia”, u takuam me drejtorin e ndërmarrjes, z. Davide Degennaro, ku u diskutua për ndërlidhjen në mes të hekurudhës, portit detar dhe portit të thatë, në funksion të distribuimit të mallrave, për ndërtimin dhe menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore, si dhe praktikat e funksionimit dhe operimit të mirëfilltë të portit të thatë.

 

Po ashtu, vizituam edhe terminalin intermodal që përfshin ndërlidhjen e transportit kargo me infrastrukturën hekurudhore dhe automobilistike, ku u shkëmbyen mendime nga të gjithë sa i përket rritjes së bashkëpunimit në menaxhimin e transportit hekurudhor, mirëmbajtjen infrastrukturore, interoperabilitetin, si dhe përgjithësisht për krijimin e kushteve më të mira të transportit. 

 

Në këtë takim theksova rëndësinë e hekurudhës mes Durrësit dhe Prishtinës, pasi që kjo hekurudhë do të nxis tregtinë e lirë mes të dyja vendeve, dhe do të shërbejë si linjë e rëndësishme hekurudhore në lidhjen me korridoret më të rëndësishme Evropiane, ku përmes Prishtinës, edhe Porti i Tivarit do të ketë qasje më të lehtë e më të shpejt drejt tij. Porti i Durrësit synon të bëhet një port gjigant e i rëndësishëm i transportit të mallrave, kështu duke kontribuar në arritjen e një lëvizshmërie të qëndrueshme me efikasitet të lartë në një rrjet më të gjerë Rajonal e Europian.

 

Për më shumë, vizituam ndërmarrjen publike “Acquedotto pugliese spa”, ku u takuam me drejtorin z. Domenico Laforgia. Në këtë takim bashkëbiseduam për rëndësinë e menaxhimit të mirëfilltë të resurseve ujore, përkatësisht për modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, trajtimin e ujërave të zeza, si dhe shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit dhe dixhitalizimin e tij në funksion të zvogëlimit të humbjes së ujit.

 

Si Ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, mbesim të përkushtuar në përmbushjen e të gjitha zotimeve, dhe falenderojmë të gjithë bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë për ndihmën e ofruar në lehtësimin e arritjes së synimeve tona.