5960 - Galeria_single | MMPH

Kosova e kremton përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave për një mjedis më të pastër.

 

Sot, Qeveria e Kosovës me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë përmes GIZ Kosova, përgëzuan komunat për rezultatet e arritura nëpërmjet Grantit të Performancës Komunale për Mjedis të Pastër. 23 komuna të suksesshme u shpërblyen për performancën e jashtëzakonshme në përmirësimin e shërbimeve të tyre për menaxhimin e mbeturinave për të siguruar një mjedis më të pastër për qytetarët e tyre. 

 

Gjatë tri viteve të fundit të gjitha komunat në vend kanë konkurruar për të përmirësuar qeverisjen e tyre, për të avancuar ofrimin e shërbimeve, për të rritur qëndrueshmërinë financiare dhe për t’i eliminuar deponitë ilegale të shumta në vend, të cilat përbëjnë rrezik për mjedisin dhe mirëqenien e qytetarëve. Si rezultat, është arritur një rritje në shkallën e mbledhjes së mbeturinave nga 70.9% në vitin 2017 në 83.9% në vitin 2020 dhe një rritje në shkallën e inkasimit nga 80.64% në vitin 2017 në 90.72% në vitin 2020.

 

Ceremoninë e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Gjatë fjalimit të tij, ai e konfirmoi edhe një herë angazhimin e qeverisë për të përmirësuar gjendjen e mjedisit në vendin tonë, duke shprehur se jemi të përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimi me komunat për menaxhimin e mbeturinave dhe ekonomisë qarkore.

 

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Z. Liburn Aliu, i përgëzoi komunat për angazhimin dhe të arriturat e tyre dhe e falënderoi Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ai po ashtu ritheksoi se reduktimi i ndotjes së mjedisit nga mbeturinat dhe përmirësimi i mëtejmë i shërbimeve dhe infrastrukturës, siç janë deponitë në nivel kombëtar, mbeten sfidë. Ai shprehu: “Ne nuk do të ndalemi së punuari në këto çështje derisa mbeturinat tona të trajtohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe derisa të krijohen kushte të përshtatshme për kalimin nga shërbimet themelore në ekonominë qarkore.”

 

Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit për Zhvillim të BE-së, Z. Luigi Brusa, tha se Granti i Performancës është një instrument i dobishëm që ofron stimuj për përmirësimin e shërbimeve të mbeturinave në Kosovë, por ende mbeten shumë probleme si rezultat i infrastrukturës së dobët dhe zbatimit joefikas të legjislacionit. “E vlerësojmë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëfinancimin e skemës dhe jemi të kënaqur me bashkëpunimin e mirë me Qeverinë dhe komunat për zbatimin e skemës së Granteve të Performancës Komunale. BE-ja mbetet e përkushtuar për ofrimin e mbështetjes së nevojshme për zbatimin e duhur të legjislacionit për menaxhimin e mbeturinave në vend.”

 

Ambasadori gjerman Jörn Rohde tha: “Gjermania po e mbështet me bindje këtë skemë të granteve. Rezultatet tashmë janë të prekshme. Do të dëshiroja ta inkurajoja Qeverinë që të vazhdojë ta promovojë këtë skemë të granteve si një nga instrumentet më efektive drejt menaxhimit të integruar të mbeturinave në Kosovë. Si donatori kryesor në sektorin e mbeturinave, së bashku me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW dhe GIZ, Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt ekonomisë qarkore dhe për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.”

Granti i Performancës është mekanizëm financiar që bazohet në rezultate dhe që bashkëfinancohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-ja) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë secila me nga 3,5 milionë euro. Ky Grant i Performancës zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Qëllimi i këtij Granti të Performancës është që ta stimulojë dhe mbështesë financiarisht shërbimin komunal të mbeturinave, duke u bazuar në vlerësimin e performancës në 38 komuna të Kosovës.