5953 - Galeria_single | MMPH

Sot, në Ndërtesën e Qeverisë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mbajti konferencë për media në lidhje me “Gjetjet e Raportit të Grupit Punues Për Projektet Kapitale në Fushën e Ujërave”. Me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, përmirësimet të kualitetit të projekteve, shqyrtimit të procedurave financiare e teknike, dhe shqyrtimit të ligjshmërisë e çështjeve të tjera të rëndësishme lidhur me implementimin e projekteve, me datë 28.06.2021, me nr. prot 2543/21, është formuar grupi punues ministror (GP) për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga buxheti i MMPHI, me ç’rast janë evidentuar shumë mangësi procedurale e shkelje ligjore në fushën e ujërave gjatë periudhës 5 vjeçare (2016-2020/21).

 

Lidhur me rëndësinë e gjetjeve të grupit punues, Ministri Liburn Aliu shprehu:

 

“Janë listuar gjithsej 142 projekte nga të cilat 27 prej tyre, janë trajtuar në mënyrë të hollësishme dhe për 10 prej tyre që kanë pasur vlerën mbi 400.000,00-Euro është bërë edhe shqyrtimi në teren. Shqyrtimi i lëndëve ka zgjatur deri më datë 30 Shtator, 2021. Në muajin Tetor është bërë dorëzimi i raportit. Nga shqyrtimi i raportit del se ka pasur parregullësi në trajtimin e shumicës së këtyre projekteve të cilat mund të kategorizohen si në vijim:

 

-Inicimi i projekteve ishte bërë në mënyrë ad-hoc duke mos ndjekur një proces të vlerësimit profesional të prioritizimit, të vlerësimit të kosto-përfitimeve dhe fizibilitietit të tyre. Për më tepër, shpeshherë inicimi i projekteve ishte bërë nga stafi politik i kabinetit të ish-Ministrit pa pasur dokumentacion projektues për zbatimin e projektit që do të duhej të jetë parakusht për inicimin e procedurave të prokurimit.

 

-Kontraktimi i hartimit të dokumentacionit projektues ishte bërë përmes kontratës kornizë për afat 3-vjeçar dhe si rezultat i kësaj forme të kontraktimit kompania projektuese praktikisht e ka pasur monopolin e hartimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve për MMPH në periudhë e kaluar 10-vjeçare. 

 

-Në shumicën e rasteve të shqyrtuara Ministria kishte kryer pagesën për projektin ideor dhe për projektin kryesor edhe pse kishte pranuar vetëm një projekt të titulluar projekti kryesor dhe projekti ideor.

 

-Janë bërë pagesa jashtëzakonisht të larta për projekte shumë të dobëta dhe jashtë çdo standardi, p.sh. 

Projekti për pastrimin e Lumit Shtimjanja në vlerë 299 mijë EUR dhe kryerja e punëve, ka kushtuar më pak se hartimi i projektit, prarreth 280 mijë €

Ri-projektimi i sistemit të ujësjellësit Shipol-Brus-Skenderaj në vlerë 196 mijë EUR nuk është arsyetuar fare i cili në masë të madhe përmban të njëjtat zgjidhje teknike të projektit fillestar, veçse të paguar nga komuna. 

 

-Cilësia e dokumentacionit projektues për projektet e financuara nga MMPH apo të bashkëfinancuara me komunat është vlerësuar e dobët, qoftë në aspektin e përmbajtjes së tyre apo zgjidhjes teknike të projektuar. Projektet në shumicën e rasteve nuk përmbajnë elementet dhe fazat bazike që duhet t`i përmbajë një projekt i ujerave siç janë: (i) emrat e projektuesve, (ii) detyrën projektuese të elaboruar mirë, (iii) përshkrimin adekuat teknik me të cilin përshkruhet projekti me elementet e tij përbërëse si dhe zgjidhja teknike, (iv) përllogaritjet hidraulike, (v) studimin hidrologjik, hidromorfologjik, dhe të aluvioneve për rastet e rregullimit të lumenjve, (vi) planet adekuate të situacionit, (vii) profilet tërthore në pikat karakteristike, (viii) detajet konstruktive etj. 

 

-MMPH ka paguar shuma të larta të parave për projekte të pakompletuara dhe të cilësisë së dobët. 

Pranimi i këtyre projekteve është nga një komision prej 3 anëtarësh (mbikëqyrësi i kompanisë projektuese, koordinatori i projekteve dhe menaxheri i projekteve),  të cilët nuk e kanë verifikuar madje as përmbajtjen e projektit e lëre më cilësinë e tij, por kanë konfirmuar vetëm pranimin e kopjeve fizike dhe elektronike të dokumentacionit projektues. 

 

-Asnjëri prej projekteve të shqyrtuara nuk ka pasur leje të ndërtimit, leje ujore e as leje mjedisore. Moszbatimi i procesit të aplikimit për dhe marrjes së lejes së ndërtimit ka pasur si konsekuencë mosshqyrtimin e dokumentacionit projektues nga autoriteti që do të duhej ta lëshonte lejen ndërtimore dhe verifikimin nga ky autoritet se projekti i përmban të gjitha elementet e kërkuara me legjislacionin e ndërtimit. Si pasojë e kësaj qasje ka ndodhur që të jenë financuar projekte në vlerë disa qindramijë EUR për të cilat nuk ka pasur fare dokumentacion projektues (p.sh. projekti i Rregullimit të Përrockës në Hajvali me vlerë prej 380,290.40 €. Për më tepër janë dhënë 12,929.87€ për mbikëqyrje profesionale pa pasur projekt). 

 

-Mbikëqyrja teknike e punimeve është kryer zakonisht nga kompania e cila ka kryer hartimin e dokumentacionit projektues (INSI, Alb-Archtect). Me asnjë rast Grupit Punues nuk i janë vënë në dispozicion ditarët ndërtimorë dhe librat ndërtimorë si instrumente ligjore të domosdoshme në procesin e realizimit dhe mbikëqyrjes së një projekti. Ndryshimet në projekt nuk janë arsyetuar në ditarin ndërtimor dhe nuk janë paraqitur në projektin e gjendjes së zbatuar, ashtu siç kërkohet me ligj. Ndryshimet në projekt shpeshherë (si në rastin e Rregullimit të Lumit Marevc në vlerë prej 84,170.78 € për hartimin e projektit dhe 557,614.31 € për ndërtim) janë vendosur nga stafi politik në koordinim vetëm me Koordinatorin e Projekteve dhe Menaxherin e Projektit, pa ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen teknike të ndryshimeve të kryera si dhe pa analizuar impaktin financiar të ndryshimeve të projektit. 

 

-Certifikata e përdorimit nuk është lëshuar për asnjërin prej projekteve të financuara, që d.m.th. nuk është zbatuar Ligji për Ndërtim dhe Udhëzimi Administrativ për Mbikëqyrjen Inspektuese dhe Procedurën për Lëshimin e Certifikatës së Përdorimit. 

Sipas Ligjit për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ, për çdo fazë të punimeve duhet të kryhet mbikëqyrja inspektuese dhe pas inspektimit final lëshohet certifikata e përdorimit. Në rastin e projekteve të financuara nga MMPH, është zhvilluar procedura e pranimit teknik nga një komision i Ministrisë ose komunës, procedurë kjo e cila nuk ka mbështetje ligjore, dhe e cila nuk e ka kryer funksionin esencial të verifikimit se punimet janë zhvilluar sipas projektit dhe se janë në përputhje me normat teknik.

 

Për më shumë Ministri Aliu shprehu:

 

Jashtë këtij grupi punues kemi edhe projektin e Digës së Kremenatës e cila ka një histori të vet, të cilën do ta publikojmë në uebfaqe. Mjafton të theksohet dhe ju ftojmë të shqyrtoni raportin e auditorit që ka gjet një mori shkeljesh ligjore dhe procedurale. Ky projekt veçse është dorëzuar në Prokurori.

 

Ju njoftoj për hapat që kemi marrë:

 

-Raportin do ta dorëzojmë në njësinë e brendshme të auditimit të Ministrisë dhe në zyrën kombëtare të auditimit duke u bazuar në rekomandimin e tyre.

 

-Ministria do të marrë hapat në përimrësim të proceseve që lidhen më fushën e projekteve të ujërave. Këta hapa do të lidhën me procedurat e zbatimit të projekteve në fushën e ujërave në mënyrë që të mos ketë përzierje të kompetencave me Ministrinë përgjegjëse për ujësjellës-kanalizim. Do të punojmë në rritjen e cilësisë përmes shtimit të kontrollit të kualitetit si në fazat e projektimit, zbatimit dhe operimit të projekteve.