5940 - Galeria_single | MMPH

Ministri Liburn Aliu, së bashku me Maduhna Gojanin, shefe e Divizionit për Planifikimin e Burimeve Ujore dhe koordinatore e projektit për Programin Mjedisor të Kosovës të financuar nga Sida, dhe zyrtarë të Ministrisë, janë takuar me përfaqësues të Ambasadës së Suedisë si dhe me përfaqësues nga firma ndërkombëtare e konsulencës FCG Sweden për të diskutuar programin dhe zbatimin e tij në të ardhmen.

Programi Mjedisor i Kosovës filloi në vitin 2016 si rezultat i “Strategjisë së rezultateve për reformën e bashkëpunimit me Evropën Lindore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për periudhën 2014–2020” të qeverisë suedeze. Një nga tre rezultatet e pritshme të strategjisë suedeze ishte "Një mjedis më i mirë, ndikim i reduktuar në klimë dhe elasticitet i rritur ndaj ndikimit mjedisor dhe ndryshimeve klimatike." Për të arritur rezultate të tilla, Suedia dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës (MMPHI) kanë lidhur marrëveshje katër vjeçare (2016-2020) me qëllim të ofrimit të mbështetjes për MMPHI-në dhe Këshillin Ndërministror të Ujërave (IMWC) në zbatimin e Programit Mjedisor të Kosovës (Kosovo Environmental Programme - KEP).

Programi mbështet zhvillimin e kapaciteteve të MMPHI-së, KPMN-së, komunave dhe palëve të tjera të interesuara që kanë të bëjnë me monitorimin dhe menaxhimin e mjedisit. Më konkretisht, programi synon zhvillimin e kapaciteteve në zbatimin e legjislacionit mjedisor, në përputhje me direktivat e BE-së.

Pas përfundimit të programit në Gusht, 2020, Ambasada dhe Ministria kanë vendosur të vazhdojnë projektin për disa muaj me synimin specifik për të finalizuar çështjet që kishin mbetur të papërfunduara. Kryesisht, ky zgjerim synon të finalizojë Planin e Menaxhimit për Drinin e Bardhë.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte informimi i Ministrit Aliu dhe kabinetit të tij për fazën e mëparshme të programit, organizimin, zbatimin dhe realizimin e tij, si dhe informimin për fazën aktuale të zgjatjes së programit dhe rezultatet e planifikuara.

17.08.2021,
Prishtinë