5931 - Galeria_single | MMPH

Sot, me rastin e shënimit të 8 Nëntorit “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, në përkrahje të Programit “Planifikimi Hapësinor dhe Menaxhimi Tokës”, në Kosovë (SPLM), të financuar dhe zbatuar nga Qeveria Gjermane (GIZ), ka organizuar Tryezën e rrumbullakët me temën: 

 

“Raporti Qytet – Fshat”, i cili aktualisht është njëri nga elementet me ndikim në zhvillimin e përgjithshëm hapësinor në vend. 

 

Pjesë e takimit ishin përfaqësues të universitetit, zyrtarë nga niveli qendror i sektorit të Planifikimit Hapësinor, përfaqësues nga organizata donatore GIZ dhe UN-Habitat, si dhe ekspertë të dalluar të fushës.

 

Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga z. Liburn ALIU, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili shprehu gatishmërinë e tij për përkrahje në të gjitha nismat dhe iniciativat e ngjajshme. Ministria jonë e përkrahur edhe nga organizatat donatore do të jetë adresa kryesore e trajtimit të problemeve dhe e zgjidhjeve për sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor në vend, përfshirë edhe fshatrat e Kosovës. 

 

Më tutje, në pjesën tematike të tryezës u shfaqen tri prezantime. Prezantimi i parë “Gjendja aktuale e fshatit”, nga z. Luan NUSHI, drejtor në Institutin për Planifikim Hapësinor, i cili u fokusua në të dhënat statistikore për zonat rurale në Kosovë. Në vazhdim, në prezantimin e dytë “Partneriteti Urban-Rural” i prezantuar nga Prof. Binak BEQAJ, UBT – u shfaq konteksti i analizës së raportit nga këndvështrimi politik, territorial, ekonomik, hapësinor dhe social. Dhe, prezantimi i tretë i paraqitur nga Znj. Rudina Qerimi, përfaqësuese e projektit “Planifikimit Hapësinor dhe Menaxhimi i Tokës” – GIZ, e cila para të pranishmëve paraqiti pikëpamjen për temën nga perspektiva e projektit të zhvilluar në disa komuna të Kosovës.

 

Në fund të takimit, nga të pranishmit u zhvillua një diskutim konstruktiv lidhur me temën dhe nevojën që në të ardhmen të kemi edhe më shumë iniciativa të tilla. Fshati dhe zonat rurale në përgjithësi mbetën sfidë për të gjithë akterët e sektorit të planifikimit hapësinor, të cilës duhet ti qasemi më seriozisht në të ardhmen. 

 

Gjithashtu, sot në hollin e ndërtesës së Qeverisë (“Ish Rilindja”) është hapur ekspozita me fotografi nga konkursi i organizuar me temën “Fshati im”, në të cilën janë të shfaqura fotografitë më të suksesshme nga rreth 50 konkurrues. Nga juria profesionale u prezantuan edhe fotografitë fituese të konkursit:

 

Vendi i parë i takoj z. Arben Llapashtices;

Vendi i dytë, Shkëlzen Rexhes; dhe

Vendi i tretë z. Blerim Gjocajt.

 

Ekspozita do të jetë e hapur deri në përfundim të kësaj jave.