5911 - Galeria_single | MMPH

Sot, në mbledhjen e 42-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë aprovuar këto vendime:

 

-Shqyrtimi i Projektligjit për Produktet Biocide 

-Shqyrtimi i Draftit të Koncept- dokumentit për Vlerësim Strategjik Mjedisor  

-Shqyrtimi i Propozim- vendimit për formimin e Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren- Tetovë.

-Shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e Komisionit për përgatitjen e një parallogarije ose plani ideor për zbatimin e rehabilitimit të zones tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

-Shqyrtimi i Projektligjit për Produktet Biocide:  

 

Ky ligj ka për qëllim rregullimin dhe funksionimin e tregut të brendshëm të biocideve nëpërmjet harmonizimit të rregullave për vënien në dispozicion në treg dhe përdorim të produkteve biocide duke siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve si dhe mjedisit. Përmes miratimit të këtij projektligji Republika e Kosovës do të arrijë një strukturë gjithëpërfshirëse dhe përmbajtësore lidhur me administrimin e këtyre produkteve.

 

-Shqyrtimi i Draftit të Koncept- dokumentit për Vlerësim Strategjik Mjedisor: 

 

Qëllimi kryesor i këtij koncept- dokumenti verifikimi i ndikimit të qëndrimit dhe qëndrimi i sekretariatit të komunitetit të energjisë në lidhje me vlerësimin strategjik mjedisor në sektorin e Energjisë, mundësia e ndryshimit në sistemin e Kosovës për VSM, me qëllim të balancimit të detyrimeve të Kosovës që rrjedhin nga traktati i komunitetit të energjisë dhe të MSA-së me kapacitetin e autoriteteve kompetente në përputhje me kërkesat e legjislacionit të BE-së. Gjithashtu, ky koncept- dokument rregullon kërkesat dhe kriteret për zbatimin e vlerësimit të nevojës për vlerësimin dhe zbatimin strategjik, përcakton kornizat për ndërhyrje në strategji, plane dhe programe të cilat i nënshtrohen nevojës për vlerësim të ndikimit në mjedis, kritereve për përcaktimit të mundshëm të rëndësishëm të ndryshimeve, dhe/ose plotësimeve në strategji, plane ose programe mjedisore në procedurat e vlerësimit dhe mënyrën e zbatimit të procedures së vlerësimit strategjik mjedisor.

 

-Shqyrtimi i Propozim- vendimit për formimin e Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren- Tetovë:

 

Në mbledhjen e 16 shtatorit 2021, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parën në historinë e dy shteteve tona të pavarura, nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Në bazë të Memorandumit të bashkëpunimit, sot u miratua formimi i Komisionit për vlerësimin e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren –Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndër tjerash rruga Prizren- Tetovë do të lidh edhe korridorin Tiranë- Prishtinë bashk me korridorin e tetë i cili synon të kaloj nëpër Tetovë, duke shkurtuar kështu jashtzakonisht rrugën për qytetarët që vijnë nga Republika e Shqipërisë drejtë Republikës së Maqedonisë dhe anasjelltas.

 

-Shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e Komisionit për përgatitjen e një parallogarije ose plani ideor për zbatimin e rehabilitimit të zones tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut:

 

Rehabilitimi i tampon zonës kufitare në Han të Elezit, do të lehtësojë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit. Bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut miratuam vendimin për formimin e Komisionit për përgatitjen e një parallogarie ose plani ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.