5884 - Galeria_single | MMPH

Në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike”, në panelin e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku të ftuar ishin Zëvendësministrja Linda Çavdarbasha, dhe ekspertë të fushës së mjedisit, u diskutua në përgjithësi për Marrëveshjën e Gjelbër Europiane, që parashihet që deri në vitin 2050, Europa të jetë kontinenti i parë që bëhet neutral ndaj klimës. 

 

Zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, theksoi se është synim i saj që të stimulojë debatin mbi ndryshimet klimatike, duke marrë parasysh se degradimi i mjedisit është një kërcënim ekzistencial për vendin dhe rajonin. 

 

Znj. Çavdarbasha shprehu se edhe pse momentalisht është shumë sfiduese për Kosovën, jemi duke punuar vazhdimisht që të adaptojmë ligjet dhe strategjitë e duhura përfshirë këtu plotësim-ndryshimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, vlerësimin strategjik mjedisor, ligjet specifike për mbrojtje nga ajri dhe ndotja, ligjin për mbrojtjen e natyrës, ligjin e mbeturinave, ligjin për kimikate dhe aktet e tjera nënligjore, gjithmon në përputhje me legjislacionet e BE-së, ashtu që një ditë të jemi sa më afër implementimit të Marrëveshjes së Gjelbër.