5874 - Galeria_single | MMPH

Ministri z. Liburn Aliu, priti sot në takim përfaqësuesit e Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të cilët kanë përfunduar me sukses realizimin e fazës së parë të projektit për zhvillimin e kapaciteteve për kontrollin e ndotjës së ajrit në Republikën e Kosovës. 

 

Gjatë këtij takimi, u diskutua në detaje për fillimin e fazës së dytë të Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjës së Ajrit, e cila strukturalisht ndahet në tre fusha si: monitorimi dhe matja e gazit të shkarkuar, analiza e strukturës së ndotjës së ajrit, si dhe politik-bërja dhe vetëdijësimi i publikut, e ku si qëllim i përgjithshëm është zhvillimi i kapaciteteve të mëtutjeshme për promovimin e masave të kontrollit të ndotjës së ajrit, me synimin e përgjithshëm të të pasurit një mjedis më të pastër për qytetarët e Republikës së Kosovës. 

 

Ministri Liburn Aliu shprehu në përgjithësi se faza e dytë e projektit është shumë e rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e duhur të cilësisë së ajrit, që do të kontribuonte në aplikimin e masave të përgjithshme për reduktimin e ndikimeve të ndotjës.

 

“Jam shumë falënderues për kontributin e dhënë nga Agjencioni Japonez – JICA dhe Qeveria Japoneze, dhe jemi të vendosur që të shtyejmë fazën e dytë të projektit përpara, ashtu që të realizojmë edhe këtë fazë të dytë të projektit me sukses. Shprehi gatishmërinë time që të jem i përfshirë në çdo hap të zhvillimit të projektit, dhe të kemi bashkëpunim të ngushtë me AMMK-në, IKSHP-në, IHMK-në, Komunën e Prishtinës, e po ashtu të mbahen të përditësuar për procesin dhe mbarëvajtjen e projektit të gjitha agjencitë dhe donatorët që merren me ndryshimet klimatike dhe reduktimin e ndotjës së ajrit.”, shprehu Ministri Aliu.

 

Në fund, të dy palët u dakorduan që bashkarisht të arrihen qëllimet e vëna për të shënuar progres në reduktimin e ndotjës së ajrit.