5863 - Galeria_single | MMPH

Sot në Ndërtesën e Qeverisë, Ministri Aliu mbajti konferencë për media në lidhje me pezullimin e punimeve të Ndërmarrjës Publike Banesore (NPB) Sh.A. Prishtinë.

 

Me datë dy Tetor u pezulluan punimet e NPB-së, pasi që gjatë rrënimit të objektit të vjetër doli se kishte materiale të azbestit të cilat konsiderohen që të jenë kancerogjene. Punimet u ndaluan me vendim të prerë nga Inspektoriati i MMPHI-së, me qëllim të mbrojtjës së shëndetit të qytetarëve.

 

Pas trajtimit emergjent të zonës, MMPHI është marrë me trajtimin e dokumentacionit të kompanisë së përfshirë dhe marrëdhënieve kontraktuale të saj, me ç’rast është kuptuar se është lëshuar leje e rrënimit nga organi kompetent i Komunës së Prishtinës.

 

Gjatë trajtimit të dokumentacionit janë evidentuar këto gjetje:

 

-Publikimi i njoftimit për shprehje të interesit duke i ftuar operatorët ekonomik për tu regjistruar për t’u bërë pjesë e procedures së përzgjedhjës për bashkë investim në ndërtim, nuk dihet se nga kush është lëshuar sepse nuk ka nënshkrim të ndonjë zyrtari kompentent, as datë e as numër të protokollit.

 

-Në njoftimin e lartcekur nuk është përcaktuar asnjë kriter i përzgjedhjës, nuk është përcaktuar lokacioni i ndërtimit dhe nuk është përcaktuar se çfarë do të ndërtohet.

 

-Afati për aplikim për kompanitë e interesuara ka qenë vetëm dy ditë dhe atë prej datës 10-12 Mars 2021, ndërsa afati për paisje me dosjen e tenderit ka qenë vetëm një ditë

 

-Leja ndërtimore e lëshuar më 16.08.2021, për NPB si posedues i vetëm i Lejës ndërtimore, ndërkohë që në aktin notarial figuron si hisedar me 64% një kompani private.

 

Për më shumë Ministri Aliu shprehu:

 

“Problemi është se Ndërmarrja Publike Banesore është publike dhe duhet ta përfaqësojë interesin publik. Pse kemi një NPB e cila abuzon me pronën publike nuk do thotë që ndërmarrjet publike abuzojnë në këtë vend. Në këtë kuptim i bie që ndërmarrja nuk është publike, por është private që e ka në mendje profitin. NPB nuk është as publike, e as banesore, por një ndërmarrje private qe e ka ndërmend profitin. Ata e kanë vënë në rrezik punëtorin. Janë marrë mostrat dhe janë nis në një laborator jashtë vendit të shikojmë se a përbëjnë rrezik të lartë ekstrem si përshkruhet për azbestin, e për këtë duhet patjeter të merret hetuesia. Për më tepër, fjala shfrytëzim i përhershëm, nuk ka bazë ligjore, ka shfrytëzim të përkohshëm, nuk ka shfrytëzim të përhershëm, dhe ky veprim përben po ashtu shkelje të rëndë penale.”

 

Në fund, Ministri Aliu kërkoi që të gjithë akterët si Kryetari i Komunës, e poashtu edhe Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, duhet të veprojnë në përputhje dhe në mbrojtje të interesit publik, përfshirë edhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, në mënyrë që këta të fundit të trajtojnë këtë lëndë dhe në rast se ka shkelje akti të rregullimit të pronës ta tërheqin atë, si dhe organet e drejtësisë të realizojnë hetimet e nevojshme penale, gjithmon në funksion të mbrojtjës së interesit të përgjithshëm publik.