5848 - Galeria_single | MMPH

Në kuadër të formalizimit të ekipeve për rrugën Prizren – Tetovë, sot Ministri Liburn Aliu zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. 

 

Fillimisht, Ministri Aliu u takua me drejtorin e ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore z. Ejup Rrustemi, për të vazhduar më pastaj në takime me Ministrin e Financave, z. Fatmir Besimi, Ministrin e Transportit, z. Bllagoja Boçvarski, si dhe Ministrin e Mjedisit, z. Naser Nuredini. 

 

Në fokus të takimeve të zhvilluara ishin diskutime për përgatitjen e projektit ideor për rrugën Prizren – Tetovë, me theks të veçantë për krijimin e komisionit të përbashkët që do të mundësonte që paralelisht të krijoheshin kushtet e duhura që do të kontribuonin në ndërtimin e rrugës në përgjithësi.

 

Për më shumë, u diskutua për krijimin e lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëzit dhe bizneset në mes të dyja vendeve, në veçanti për lidhjen e parqeve nacionale, qendrave turistike dhe korridoreve rrugore. 

Po ashtu, u diskutua për sinkronizimin e planifikimit hapësinor, si dhe krijimin e infrastrukturës rrugore për zhvillimin e turizmit alternativ. 

 

Në fund, të gjithë theksuan fuqimisht domosdoshmërinë e punës së përbashkët si fqinjë të mirë, për të avancuar më tej në krijimin e raporteve të shkëlqyera mes të dyja vendeve.