5792 - Galeria_single | MMPH

Reagim në lidhje me raportimet e disa mediave dhe portaleve të ndryshme për “nënshkrimin e disa kontratave pa procedurë të hapur”, me ç’rast njoftojmë opinionin publik se raportimet se janë 28 kontrata të reja përmes procedurës së hapur janë të pavërteta.

Që nga 22 Marsi i këtij viti, kur edhe zyrtarisht kemi filluar punën si Qeveria Kurti II, punën e parë që e kemi bërë, ka qenë kërkesa jonë që ti kemi raportet e punës nga të gjitha departamentet përkatëse në Ministri. Pas marrjes së raporteve të punës kemi vënë re se janë rreth 20 kërkesa për punë shtesë për projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale dhe regjionale, kontrata këto të nënshkruara gjatë viteve: 2017; 2018; 2019; si dhe 2020.

Që të gjitha këto kërkesa kanë qenë të vlerësuara nga komisionet profesionale në teren si dhe të aprovuara nga menaxhmenti i atëhershëm i Ministrisë. Mosnënshkrimi nga ana e zyrtarëve kompentent ka shkaktuar ndërprerjen e punimeve, e si rezultat edhe mosrealizimin e kontratave sipas planit dinamik të paraparë.

Pas analizës dhe vlerësimit të të gjithë dokumentacionit, në përputhje me ligjin e prokurimit publik, janë përpunuar kërkesat për nënshkrimin e kontratave për punë shtesë, dhe po ashtu është bërë auditimi i brendshëm nga auditori i përgjithshëm. Të githa procedurat për punët shtesë janë realizuar duke zbatuar në përpikshmëri të plotë të gjitha procedurat ligjore. Procedurat kanë qenë transparente, si dhe të publikuara në faqën zyrtare të KRPP-së, ku shihet qartë që bëhet fjalë për punë shtesë e jo për kontrata të reja siç u raportua në disa media e portale të ndryshme.

Pas nënshkrimit të anekseve për punë shtesë, kemi arritur që të gjitha këto projekte t’i zhbllokojmë, e si rezultat puna në teren ka vazhduar me intensitet të shtuar, ku edhe pritet që shumica e këtyre projekteve të përmbyllen në fund të vitit.

Sa i përket projektit për zgjatjen e pistës, projekti (zgjatja e pistës dhe ngritja e sistemit instrumental të aterimit dhe sistemit të radiokomunikimit për Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, “Adem Jashari”), ky projekt (kontratë) është nënshkruar me datë: 03.10.2018, në vlerë totale prej 945.582.40 Euro. Kontrata është nënshkruar në koncersium ndërkombëtarë me “Velkom KS sh.p.k. – AE Consulting, Inc”, në kohë zgjatje prej 18 muaj. Për shkak të pandemisë Covid-19 , kompania punëkryerëse kishte ndërprerë punimet dhe realizimi i kësaj kontrate kishte arritur në 76% të vlerës së kontratës.

Me hapjen dhe rifillimin e punimeve nga ana e punëkryerësit, Ministria ka obligim ligjor që t’i mbikqyrë zhvillimet e të gjitha punimeve në teren, si dhe kërkesat specifike të detyrueshme për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të licensuar për mbikëqyrjen e pistave. Ministria ka inicuar procedurën e negociuar pa publikimin e kontratës me çrast është nënshkruar kontrata për vazhdimin e mbikëqyrjes së punimeve për zgjatjen e pistës. Kontrata është nënshkruar më datë: 12.07.2021 në vlerë prej 276.895.00 Euro. Kjo kontratë përfshin mbikëqyrjen e të gjitha punimeve deri në përfundimin e projektit, si dhe përgatitjen e raportit përfundimtar për çertifikim.

Pra, bëhet fjalë për 19 kontrata që janë punë shtesë, si dhe kontrata e negociuar që ka të bëjë me zgjatjën e pistës së Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës , “Adem Jashari”.

Ju sigurojmë se të gjitha vendimet në MMPHI, i marrim duke pasur parasysh interesin publik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

03/08/2021,

Prishtinë