4840 - Galeria_single | MMPH

'Prishtinë, 10.07.2020 - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi i shoqëruar nga zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Bakija - Deva ka zhvilluar sot një vizitë pune në Komunën e Gjakovës me ç’rast kanë takuar kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini si dhe kanë vizituar kompaninë rajonale KRU ”Gjakova”. Gjatë kësaj vizite ministri Kuçi është njoftuar nga kryetari Gjini lidhur me gjendjen ekonomike në këtë komunë ku kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për pastrimin e Qendrës Transfer në lagjen “Ali Ibra” në Gjakovë.“Sot arritëm një marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit për largimin e mbeturinave nga Qendra Transfer ngase ky është projekt emergjent i cili do të ndikojë mirëqenien e qytetarëve. Duke parë nevojën emergjente sot filluam edhe procedurat për ta zgjidhur këtë çështje. Kostoja e këtij projekti është 400 mijë euro, mjete këto që parashihen për largimin e mbeturinave ndërsa në fazën tjetër do të ndahen mjete edhe për rehabilitimin e kësaj qendre”, u shpreh ministri Kuçi. Nga ana e tij kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini falënderoi ministrin Kuçi për mbështetjen jo vetëm në këtë projekt por edhe për projektet e tjera të cilat janë në realizim e sipër.“Qendra Transfer për shumë vite është problem për Komunën e Gjakovës andaj mbështetja nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është e mirëseardhur, mjetet që janë ndarë do të përdoren për pastrimin komplet të qendrës dhe përfundimisht këtij problemi po ia gjejmë zgjidhjen”, tha kryetari Gjini. Gjithashtu ministri Kuçi ka vizituar KRU “Gjakova” ku nga aty ofroi mbështetje për këtë ndërmarrje si dhe premtoi përkrahje në investimet kapitale.“Të gjitha projektet që janë vazhdimësi do t’i mbështesim në mënyrë që të gjitha projektet të finalizohen në afatin e paraparë gjë që do të ndikojë në performancën e ndërmarrjes KRU ‘Gjakova’ si dhe në mirëqenien e qytetarëve të kësaj komune”, tha Kuçi. Ndërkaq kryeshefi i KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti e njoftoi ministrin me arritjet, sfidat me të cilat përballet kjo kompani si dhe me ecurinë e projekteve të cilat janë duke u realizuar, me theks të veçantë projektin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, projekt ky në bashkëfinancim me KRU “Gjakova”, qeveria zvicerane, qeveria gjermane si dhe Komuna e Gjakovës. Ky projekt parashihet të përfundohet deri në mars të vitit 2021. Poashtu ministri Kuçi vizitoi Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Zeza si dhe ka parë nga afër punimet që janë duke u bërë në Ngrohtoren e re të qytetit nga ku premtoi funksionalizim sa më të shpejtë.

 

'