4685 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 07.05.2018 - Për shkak të tregut të pazhvilluar vendor, promovimi i eksportit është i një rëndësie të madhe për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot në tryezën “Sfidat dhe mundësitë që kanë kompanitë kosovare për eksport”, organizuar me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Ministri Lluka me këtë rast tha se një rëndësi duhet t’i jepet ndërtimit të kapaciteteve të kompanive vendore për rritjen e eksportit në shërbime, për më tepër krahas kapaciteteve të tyre eksportuese duhet të merren parasysh edhe nevojat specifike të kompanive të TIK për promovimin e eksportit.

“Kompanitë e teknologjisë informative në Kosovë duhet të përqendrohen në teknologji specifike që reflektojnë kërkesën korresponduese në tregjet e teknologjisë informative, pra rritja në eksportin e shërbimeve në këtë sektor do të ofrojë një numër të përfitimit afatgjatë për Kosovën si përshpejtimin në transformimin ekonomik të bazuar në IT përmes transferit teknologjik dhe krijimit më të mirë të vendeve të punës dhe paga më të mira”, tha Lluka.

Ai tha se sipas të dhënave, Kosova ka pasur rritje të eksportit në këtë sektor duke iu falënderuar sektorit privat, ndërsa nënvizoi se vendi ka disa përparësi sic janë fuqia punëtore dhe njohja e gjuhëve të huaja.

'