4482 - Galeria_single | MMPH

'

 

Prishtinë, 08.10.2020 - Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka nisur sot punimet konferenca dyditore “Roli i gjeoshkencës në zhvillimin e qëndrueshëm”, në të cilën po marrin pjesë studiues nga universitetet e Kosovës, si dhe studiues nga vendet e rajonit dhe Evropës.

 

Virtualisht këtë konferencë e kanë përshëndetur zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Svarqa, përfaqësuesit nga Finlanda, Kroacia, Kanada, Shqipëria të cilët u shprehën se Kosova është e pasur me resurse minerare si një nga sektorët më të rëndësishëm që llogaritet si prioritet jo vetëm tani por ka qenë edhe në të kaluarën shtyllë e zhvillimit ekonomik.

 

“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave që ka për sektorin minerar ka hartuar një kornizë ligjore, janë hartuar gjithashtu politika dhe dokumente strategjike për hulumtim dhe shfrytëzim të resurseve minerale sipas rregullave dhe standardeve të aplikueshme, por megjithatë ballafaqohemi me sfida. Andaj shfrytëzoj rastin nga këtu të kërkoj nga të gjithë mobilizim në ngritjen e kapaciteteve në këtë sektor”, tha zv.ministri Svarqa.

 

Nga pjesëmarrësit kjo konferencë u cilësua si ngjarje e cila do të kontribuojë në promovimin e sektorit minerar, në këmbimin e njohurive dhe përvojave teknologjike të këtij sektori.

 

Kjo konferencë është organizuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”- Fakulteti i Gjeoshkencave, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit - Departamenti e Minierave, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës si dhe nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.'