
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Çitaku, priten në takim një grup të të rinjve nga Mitrovica Jugore dhe ajo Veriore, pjesë të projektit ”Së bashku për Mitrovicën e Gjelbër”, të financuar nga BE dhe implementuar nga GIZ.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është ndërtimi i kapaciteteve dhe ndërgjegjësimi i të rinjve kosovar nga Mitrovica e Jugut dhe Veriut për çështjet që lidhen me mbrojtjen dhe rreziqet nga ndotja e mjedisit.
Në këtë takim ministri Matoshi prezantoi veprimet dhe projektet e Ministrisë në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi.
Ministri Matoshi theksoi po ashtu se mjedisi nuk njeh kufij dhe kështu angazhimi për mbrojtjen e mjedisit duhet të jetë i përbashkët dhe asnjë shtet nuk duhet të përjashtohet nga fondet globale të mjedisit.
Në vazhdim ministri Matoshi të pranishmit i njoftoi për gjendjen dhe të arriturat e MMPH-se lidhur me mjedisin siç janë: Fushatat vetëdijësuese për menaxhimin e mbeturinave, zbatimi i udhëzimit administrativ për gjobat mandatore etj.
Tutje Matoshi ka falënderuar GIZ-in për mbështetjen e madhe dhënë Kosovës në fushën e menaxhimit të mbeturinave, JICA-n për monitorimin e cilësisë së ajrit, BE-në për lansimin e softuerit për matjen e cilësisë së ajrit Kosova –Air quality, Bankën Botërore për projektin Hidrosistemit Kikë – Kremenatë, UN-Habitatin për përkrahjen në fushën e planifikimit hapësinor, Qeverinë Zvicerane etj.
Nder të arriturat ministri Matoshi përmendi përmirësimin e cilësisë së ajrit, ku sipas të dhënave nga ekspertet është përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara falë ndalimit dhe mos përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike dhe vetëdijesimit të qytetarëve për ti thënë jo thëngjillit.
Sekretari i Përgjithshëm, Arben Çitaku duke i falënderuar studentët për interesimin, tha se ky projekt do të transmetojë një logjike të re e cila do të jetë në funksion të bashkëjetesës tonë, progresit të vendit dhe jetës tonë të përbashkët që është mjedisi. “Përkrahja dhe angazhimi juaj na ndihmon të krijojmë një klimë të mirë, të bashkëjetesës, kjo arrihet duke tejkaluar dallimet përmes juve të rinjve”, tha tutje Sekretari Çitaku.
Në takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Boyd Mckechni, i cili tha se pa dallim etnie e feje mjedisi është për të gjithë, si dhe përfaqësuesja e UN-HABITAT-it, Arijeta Himaduma.