330 - Departamentet | MMPH

  • Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë Ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” – është dokumenti kryesor hapësinor për sektorin energjetik, që siguron kornizën bazë në mbështetje të projekteve të ndryshme edhe nga sektorët tjerë qeveritar.
    Me këtë dokument Qeveria e Kosovës në mënyrë të qëndrueshme orienton kahen e zhvillimit hapësinor energjetik duke respektuar në maksimum mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimit racional të resurseve natyrore.
    Zhvillimi i ofruar ekonomik, nëpërmjet zhvillimit të sektorit energjetik, duke siguruar prodhim dhe furnizim të rregullt të energjisë elektrike, është garant edhe për zhvillim të barabartë social dhe mjedisor në të gjitha komunat pjesëmarrëse të zonës.
    Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vështirë ekonomike dhe problemet e shumta që po ballafaqohet vendi ynë, jemi të sigurt që dokumenti i ofruar i zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës, është kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e situatës energjetike në Kosovë.
    Prandaj, është shumë e rëndësishme të kuptohet se për realizimin e këtij Plani, do të duhet gjithsesi ndihma e të gjithëve, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në zbutjen e problemit energjetik dhe në ndërtimin e mjedisit më kualitativ jetësorë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 07.10.2011

    PH Fusha e Mihjes së Re
  • Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës Kleçkë dhe Divjakë” – është dokumenti i parë hapësinor që trajton temën e luftës dhe sakrificën e popullit tonë për liri.
    Pa dyshim se një projekt i tillë ka qenë shumë sfidues për të gjithë ne – për Qeverinë që kanë bërë shpalljen e zonës me interes të veçantë, për Ministrinë tonë që ka qenë bartëse e procesit për hartimin e dokumentit, ashtu dhe për Institutin për Planifikim Hapësinor si hartues të dokumentit.
    Hapësira për të cilën kemi hartuar planin hapësinor është e njohur padyshim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e njohur për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë luftës së fundit, për sakrificën e popullit të kësaj ane, që edhe përkundër varfërisë së tyre të madhe – kanë ofruar ndihmë dhe strehim për ushtarët e UÇK-së dhe për popullatën e shpërngulur nga trevat tjera të Kosovës.
    Kjo zonë ishte gjithashtu selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Malet e Berishës ishin vendi ku nisën rreshtimet ushtarake dhe trajnimet e para për ofensivat kundër okupatorit. U caktuan veprimet e ushtrisë më të re në botë, u organizuan paraqitjet e para publike të përfaqësuesve të ushtrisë dhe u mbajtën takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të komunitetit të atëhershëm ndërkombëtar.
    Zhvillimet e ofruara në dokument garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Gjithëpërfshirja, zhvillimi i baraspeshuar dhe i qëndrueshëm, promovimi i transparencës së plotë në planifikim, janë disa nga parimet që dëshmojnë se dokumenti është në përputhje me standardet kryesore që dalin nga ligjet e vendit dhe rregulloret evropiane.
    Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 06.04.2012.

    PH Kleçkë dhe Divjakë
  • Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë “Hidrocentrali Zhur” – Paralelisht me aktivitetet e lartpërmendura është punuar në përkufizimin e draftit të parë të Planit Hapësinor për, aktualisht hidrocentralin më të madh të Kosovës.
    Për shkak të ndikimit të tij edhe jashtë kufirit të vendit, aktualisht, procesi për përfundimin e dokumentit është stopuar, deri në krijimin e kushteve më të favorshme ekonomike dhe politike.

    Draft - PH HC Zhur
  • Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” – Zona në fjalë është njëra nga pasuritë më të çmuara natyrore që ka Kosova, vlerat e të cilit duke përfshirë llojllojshmërinë biologjike dhe peisazhore i tejkalojnë kufijtë e vendit tonë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së kësaj bukurie dhe trashëgimie natyrore, kemi ofruar para jush dokumentin e planit hapësinor, në të cilin janë dhënë orientimet themelore në drejtim të mbrojtjes dhe shfrytëzimit racional të Parkut. Jemi të sigurt se rekomandimet dhe zhvillimet e propozuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e kësaj zone, duke e bërë të mundur përjetimin e saj nga ne dhe nga gjeneratat që do të vijnë pas.
    Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, ka përfunduar procesin e hartimit të Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Një proces transparent, gjatë të cilit janë organizuar një mori takimesh me pjesëmarrës të fushave, profesioneve dhe strukturave të ndryshme. Bashkëpunim i rëndësishëm është realizuar në takimet me Grupin Punues Ndërministror, si dhe me anëtarë të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës. Pjesë e veçantë e kësaj pune kanë qenë takimet me autoritetet e komunave pjesëmarrëse dhe komunitetin që jeton në brendinë e Parkut. Kontributi i të gjithëve ka qenë shumë i vlefshëm, janë mbledhë informata të shumta, janë marrë sugjerime dhe vërejtje të rëndësishme, me ndihmën e të cilave kemi arritur të përfundojmë këtë dokument shumë të rëndësishëm për Parkun tonë Kombëtar.

    Aktualisht dokumenti është në procedurë për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

    Draft PK Bjeshket e Nemuna
  • Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” – Në bashkëpunim me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë, përmes Grupit Punues Ndërministror kemi përfunduar dokumentin që ka të bëjë me mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës më të bukur natyrore të Kosovës, i cili përfundimisht do të ndikojë në rritjen e kontrollit të zhvillimeve dhe ndërprerjen e keqtrajtimit të vlerave të dëshmuara natyrore.

    Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 11.02.2014.

    PH Sharri
  • Planit Hapësinor për Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat e Mirushes” – është dokumenti kryesor i zhvillimit hapësinor të zonës, në të cilin me shumë kujdes janë trajtuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave që ka zona në përgjithësi. Dokumenti është hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor nën përkrahjen e përfaqësuesve të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë dhe me kontributin shumë të çmueshëm të përfaqësuesve të komunave pjesëmarrëse në zonë. Në këtë drejtim, ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe profesionistë të fushës, përfaqësues të universiteteve, grupe të ndryshme të interesit duke përfshirë edhe kontributin e qytetarëve dhe shoqërisë civile.
    Me kujdes të shtuar janë bërë hulumtimet e nevojshme për gjendjen ekzistuese të zonës, si rezultat i të cilës, në bashkëpunim me të gjithë pjesëmarrësit është vendosur për vizionin, si parakusht për të përfunduar fazën më të rëndësishme të procesit – Strategjinë e zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës. Zhvillimet e ofruara janë në harmoni të plotë me normat dhe standardet e lejuara dhe do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës aktuale mjedisore. Në mes tjerash, rëndësi e veçantë i është kushtuar zhvillimit të turizmit dhe komponentëve që ndërlidhen me këtë fushë të rëndësishme ekonomike, nga e cila padyshim do të kemi përfitim të gjithë.

    Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 14.03.2014.

    PH Monumenti i Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat e Mirushës”
  • Plani Hapësinor për Zonën me Interes të Veçantë “Beteja e Koshares” – Përmbajtja e dokumentit kryesisht ndërlidhet me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, përmes të cilave do të mbetet e freskët sakrifica dhe lufta e popullit tonë për liri.
    Zhvillimi i ardhshëm hapësinor i zonës së Koshares fillon dhe mbaron në pikën qendrore - varrezat e dëshmorëve, që njëherit paraqesin përmbajtjen më të rëndësishme të të gjithë zonës.
    Aty qëndron themeli i të gjitha zhvillimeve dhe aty gërshetohen rrugët që e lidhin vet zonën me përmbajtjet dhe zhvillimet hapësinore përreth saj.
    Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Zona e Koshares me të gjitha përmbajtjet që shtrihen përreth saj, mund të shndërrohet në një atraksion turistik të qëndrueshëm, me ndikim në zhvillimin e të gjithë rajonit, duke i përfshirë edhe përmbajtjet që janë në anën tjetër të kufirit.

    Dokumenti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 14.03.2014.

    PH Zona e Mbrojtur me Interes të Veçantë “Beteja e Koshares”