5381 - Galeria_single | MMPH

'
Prishtinë, 25 nëntor 2010 - Ministria e Energjisë dhe Minierave ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Publike gjermane, Laustizer und Mitteldeutsche Bergbau-Verëaltungsgesellschaft mbH (LMBV International) e cila ka për qëllim adaptimin e modelit gjerman në sanimin e problemeve mjedisore dhe sociale të shkaktuara nga aktiviteti minerar.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, dhe   Michael Illing, Drejtor Ekzekutiv i LMBV International, Rolf Schlottmann, Menaxher Projekti, në praninë e zv/ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Idriz Vehapi dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Hans –Dieter Steinbach.

Ministrja Pula tha me këtë rast se Kosova është e interesuar të marrë përvojën në trajtimin e problemeve në sektorin minerar dhe kjo marrëveshje do të jetë një bazë e mirë e përvetësimit të asaj përvoje e cila është treguar shumë e suksesshme në Gjermani.

Marrëveshja u arrit në frymën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe organizatave të Republikës Federale te Gjermanisë (RFGJ) me ato te Republikës së Kosovës.  Marrëveshja angazhon MEM, MMPH dhe menaxhmentin e Trepçës nga njëra ane, dhe LMBV International nga ana tjetër që të shqyrtojnë së bashku mundësinë e adaptimit të modelit gjerman të trajtimit të çështjeve të trashëguara mjedisore dhe sociale në sektorin e minerar; si dhe t’i propozojnë Qeverisë së Kosovës rekomandimet relevante për të ndërmarrë hapat e duhura ashtu që problemet mjedisore dhe sociale në sektorin minerar, gjegjësisht në Kompleksin Trepça, të gjejnë rrugën e zgjidhjes.

MEM dhe MMPH e kanë shqyrtuar këtë eksperiencë shumë të mirë gjermane dhe kanë arritur të mobilizojnë mbështetjen e palës gjermane në shqyrtimin e mundësisë për ta adoptuar sa më mirë në kushtet e Kosovës.

LMBV International është organizata publike e krijuar dhe financuar nga Qeveria Gjermane që ka trajtuar rehabilitimin mjedisor dhe trajtuar çështjet sociale të sektorin minerar të ish Gjermanisë lindore. Pas 20 viteve nga bashkimi i dy ish Gjermanive, është arritur te eliminohen në mënyrë shembullore të gjitha pasojat mjedisore dhe sociale që Gjermania e bashkuar i trashëgoi nga ish Gjermania Lindore.
'