5353 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 22 Prill 2011 - Oda Ekonomike e Kosovës, si përfaqësuese më e fuqishme e komunitetit të biznesit ka përkrahur sot prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit të hartuara nga Qeveria e Kosovës.


Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas takimit me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit të përfaqësuar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) theksoi se nga pjesëmarrësit në takim ka marrë një përkrahje jashtëzakonisht të fuqishme.


“ Mund të them që jam shumë i inkurajuar se nëse flasim për prioritete, për masat që duhet marr për rritjen ekonomike, zvogëlimin e numrit të papunëve të regjistruar, kam një konfirmim të fuqishëm të komunitetit të biznesit se të gjitha këto mund të realizohen dhe se do t’i bëjmë së bashku. Jam jashtëzakonisht i kënaqur se komuniteti i biznesit ka shpreh bashkëpunim në fushën e reduktimit të ekonomisë joformale, pra me kalim nga ekonomia joformale në ekonomi formale”, tha ministri Beqaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik theksoi se ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme sa i përket  vazhdimit të procesit të privatizimit “ bile ishte një  qëndrim unik i të gjithë njerëzve këtu sot se nga këndvështrimi i biznesit dhe të gjitha asetet publike të cilat janë në proces të transformimit të tyre duhet të transformohet sa me shpejt”.

“Njëkohësisht u debatua dhe u mirëprit shumë edhe reduktimi i barrierave në funksionimin e bizneseve, u mirëprit fakti që kemi projekte konkrete të cilat janë të parapara me afatizim. U propozua që legjislacioni të revitalizohet dhe i informova se kur flasim për eliminimin e barrierave të biznesit e kemi dërguar  paketën e parë ligjore e cila na mundëson një qasje të tillë”.

Ministri Beqaj theksoi se është ndier i lumtur që çështjet e hapura në kohën kur ishte kryetar i OEK-ut janë pjesë e programit qeveritar.

Gjatë takimit që përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kishin me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj u tregua interesim i madh dhe u përkrah plani i veprimit  të hartuar nga Qeveria e Kosovës, tha kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

“Të gjitha këto procese e kanë marr një dritë jeshile se vërtet do të përkrahim dhe gatishmëria e komunitetit të biznesit  në këtë drejtim ka qenë e pakontestueshme”,tha kryetari i OEK-ut.

Ai theksoi se janë dhënë rekomandime, sugjerime dhe shprehu besimin se një formë e tillë e dialogimit mes institucioneve vendore dhe sektorit privat do të qojnë drejt gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe do t’i kontribuon implementimit të prioriteteve.

'