5346 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 19 Maj  2011 - Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) është proces i hapur dhe transparent sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Ky proces udhëhiqet nga Komiteti i Privatizimit sipas vendimit të Kuvendit të Kosovës, prandaj është plotësisht legjitim dhe siguron ruajtjen maksimale të interesave të qytetarëve të Kosovës ne radhe të parë dhe pastaj edhe të punonjësve të PTK.

Ne e kuptojmë rolin dhe rëndësinë e sindikatave, prandaj deri më tani me iniciativë tonën i kemi takuar disa herë dhe kemi marr nga ta listën me kërkesa të cilat do trajtohen në Komitetin e Privatizimit dhe do mbrohen maksimalisht nga ana e Qeverisë në procesin e privatizimit. Ky është përkushtim i Kuvendit dhe i Qeverisë së Kosovës.

Deklarimet e djeshme të sindikatave të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka hezituar për takime nuk janë korrekte sepse ne jemi takuar disa herë dhe atë kryesisht me iniciativën tonë. Asnjëherë nuk kemi pasur asnjë kërkesë zyrtare apo edhe jozyrtare për takim të cilën e kemi refuzuar.

Njëkohësisht deklarimi i zotit Sermeb Gjergji se ka informata se në MZHE është diskutuar për minimizim të pagave është një spekulim i pa bazë, sepse asnjëherë në asnjë rrethane as nuk është diskutuar dhe as do diskutohet çështja e pagave në MZHE, pasi që ajo nuk është kompetencë e jona. Ne i bëjmë ftesë publike sindikatave që nëse kanë ndonjë informacion të tillë të informojnë ministrinë se kush dhe kur u ka dhënë informacione të tilla. Kjo ftesë vlen edhe për të gjitha deklarimet e sindikatës sepse informacionet e rrejshme dhe tendencioze mund ta dëmtojnë procesin e privatizimit.

Qeveria  e Kosovës, përmes Komitetit të Privatizimit të PTK-së sipas vendimit të Kuvendit të Kosovës është përgjegjëse për asetet publike dhe vendimi për privatizimin e tyre merret nga Kuvendi. 

Institucionet e Kosovës janë të interesuara të maksimizojnë benefitet nga asetet publike për qytetarët e Kosovës sepse ato janë pronë e qytetarëve e jo e punonjësve të tyre. Qeveria maksimalisht ka qenë dhe është e përkushtuar për të mbrojtur edhe interesin e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve, prandaj edhe angazhimet e saja janë në atë drejtim.

MZHE  fton sindikatat për bashkëpunim, sepse transaksioni i suksesshëm i PTK-së është obligim edhe i tyre. I ftojmë për korrektësi ndaj punonjësve, ndaj qytetarëve dhe ndaj institucioneve. Gjithashtu, ne i ftojmë të gjithë që të sjellin para publikut informacionet e sakta që ata kanë për procesin e privatizimit e jo të krijojnë huti duke u thirrur në informata nga burime anonime dhe në takime të fshehta, por të jenë transparent ndaj punonjësve, qytetarëve dhe mediave me të gjitha shqetësimet, kërkesat apo njohuritë që kanë për procesin. Kjo qasje do kontribuonte në transaksion të suksesshëm, ndërsa e kundërta do e dëmtojë atë rëndë. Ne besojmë fuqishëm se është në interesin tonë që transaksioni të jetë sa me i suksesshme dhe më dobiprurës për shtetin e Kosovës.

'