5329 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 26 gusht 2011 - Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Ministrinë e Financave janë duke shqyrtuar një pako fiskale me të cilën synohet krijimi i lehtësirave fiskale për bizneset që krijojnë vende të reja pune dhe kjo do të jetë një stimulim për biznesin vendor ka  deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente, Beqaj i bëri sot gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës për grumbullimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve “Hosa” në Rogovë të Gjakovës, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përfaqësues të USAID-it, zyrtarë lokalë dhe afaristë.

Ministri Beqaj tha me këtë rast se ndërtimi i kapaciteteve prodhuese dhe rritja e eksportit të produkteve vendore është qëllimi i Qeverisë së Kosovës, e cila do të bëjë krejt çka është e mundur për mbështetjen e biznesit.

Ai tha se Kosova edhe në të kaluarën ka qenë e njohur në tregun evropian dhe më gjerë me produktet e saj, dhe me përkrahjen e institucioneve produktet e Kosovës do të gjejnë këtë treg, i cili nuk do të kufizohet vetëm me Zvicrën apo fqinjët.

Beqaj ka bërë të ditur se MZHE së bashku me MBPZHR-në do të investojnë në rehabilitimin e sistemit të ujitjes, i cili do të krijojë kushtet e favorshme për rritjen e produktivitetit bujqësor, ndërsa falënderoi USAID-in dhe akterët tjetër që kanë kontribuar në zhvillimin e bizneseve siç është ajo për përpunimin e pemëve dhe perimeve në Rogovë.    

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Beqaj ka vizituar Kompaninë Rajonale për Ujitje Radoniqi-Dukagjini, Kompaninë “Nertili” dhe “Niki-S” në këtë komunë me ç’rast është njohur për së afërmi me aktivitetin e tyre dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen.

Ministri Beqaj u ka ofruar kompanive në fjalë tërë mbështetjen institucionale konform bazës ligjore duke theksuar qëndrimin e Qeverisë për krijimin e të gjitha kushteve për zhvillimin e biznesit privat, ndërsa përkrahje për kompanitë publike në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Nga ana e tyre, përfaqësues të kompanive private “Nertili” dhe “Niki-S” kanë theksuar se masat e reciprocitetit të marra nga Qeveria kanë ndikuar pozitivisht në afarizmin e tyre, duke shtuar se kanë shtuar kapacitet punuese që të shfrytëzohen mundësitë e krijuara.

Vizita e ministrit Beqaj në Komunën e Gjakovës bëhet në kuadër të vizitave në qendrat rajonale të vendit për t’u njohur për së afërmi me gjendjen ekonomike dhe performancën e kompanive publike.

'