5320 - Galeria_single | MMPH

'

PRISHTINË, 5 korrik 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës vlerësoi se MZHE është duke punuar në implementimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale.

Duke referuar për punën e MZHE-së lidhur me zbatimin e këtij ligji për hapat e deritashëm që ka marrë ministria për implementimin e tij, ministri Beqaj tha se Departamenti i Minierave në kuadër të MZHE-së, ka identifikuar obligimet që dalin nga ligji, në radhë të parë hartimin e rregulloreve që e plotësojnë veprimtarinë minerare.

Departamenti i Minierave në bashkëpunim me Këshillin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka përfunduar punën në gjashtë rregullore të punës dhe ka hartuar një mori të urdhëresave administrative, tha ministri Beqaj duke përmendur Rregulloren për Përmbajtjen e Programit të Hulumtimeve Gjeologjike, Rregulloren për Sigurinë Minerare dhe Mbrojtjen e Mjedisit dhe Rregulloren për Klasifikimin e Resurseve Minerare. 

Ministri Beqaj informoi Komisionin se kanë filluar punët në ndërtimin e Muzeut Shtetëror të Kristaleve, dhe premtoi përfundim të shpejtë të punimeve.

Ndër sfidat që ministri paraqiti para Komisionit me këtë rast, ishte mos miratimi i Strategjisë Minerare nga ana e Kuvendit, me të cilën të funksionalizohej baza legjislative e sistemit minerarë në Kosovë.

Anëtarët e Komisionit, kërkuan që Shërbimi Gjeologjik të rregullohet me ligj të veçantë. Ata gjithashtu kërkuan që për zonat me interes të veçantë, ministria të nxjerrë udhëzim të posaçëm administrativ.

'