5309 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 30 shtator 2011 - Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) edhe njëherë konfirmon gatishmërinë dhe mirëpret iniciativat për t’u takuar dhe diskutuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile, për çështjet të cilat lidhen me fushëveprimin e MZHE-së.

Këtë gatishmëri e kemi shprehur prej kohësh, mirëpo fatkeqësisht takimet e planifikuara për datën 2 Gusht dhe 2 Shtator janë shtyrë me kërkesë dhe insistimin e shoqërisë civile.

Për të diskutuar për shqetësimet e shoqërisë civile në fushën e energjisë, MZHE ka organizuar takimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile më 29 Shtator të këtij viti, i cili nga një pjesë e saj është bojkotuar.

Konsiderojmë se në këtë mënyrë është humbur mundësia që me argumente profesionale të diskutohen të gjitha shqetësimet e paraqitura lidhur me projektet e energjisë.

Lidhur me vërejtjet se nuk jeni përfshirë në agjendën e tryezës, ne si organizatorë jemi përcaktuar që të krijojmë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit nga shoqëria civile, andaj nuk kemi pranuar që në agjendë të futen disa nga to, siç është kërkuar.

Njëkohësisht, theksojmë se nga agjenda e tryezës mund të shihet se për diskutime dhe pyetje kemi paraparë 120 minuta – dy orë. Kohë përafërsisht të njëjtë është planifikuar edhe për prezantimet.

Një raport i tillë në mes të prezantimeve dhe diskutimit ka bërë të mundur që të gjithë ata që kanë dashur të marrin pjesë dhe diskutojnë kishin kohë të mjaftueshme.

Mendojmë se kjo tryezë ishte një rast i mirë që së bashku me përfaqësuesit e Bankës Botërore, USAID-it dhe IFC të debatohet lidhur me vërejtjet tuaja rreth mosrespektimit të standardeve të brendshme të Bankës Botërore dhe IFC, vërejtje të cilat janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve.

Sa i përket çështjes së mostransparencës, dëshirojmë të theksojmë se të gjitha dokumentet të cilat janë përgatitur dhe kanë rëndësi për qytetarët e vendit kanë qenë në diskutim publik, mirëpo fatkeqësisht nuk keni shfrytëzuar mundësinë që ta jepni kontributin tuaj profesional. Një rast i tillë është diskutimi publik më shumë se njëmujor lidhur me metodologjinë e tarifave, të cilën e ka hartuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë, dhe për të cilin nuk kemi pranuar as edhe një koment të vetëm.

Gjithashtu, asnjëherë deri më tani nuk është vizituar “Dhoma e Informatave” e organizuar nga Projekti i Privatizimit të KEDS-it, e cila është e hapur më shumë se një muaj dhe ku mund të gjeni tërë informacionin relevant që lidhet me këtë privatizim.

Po ashtu, nuk janë të vërteta deklaratat e juaja lidhur me mospërgjigjen në kërkesat për qasje në dokumentet zyrtare të parashtruara nga ana e GAP-it.

Në afatin ligjor ne ju kemi dërguar përgjigjen me shkrim në të cilën ju kemi orientuar që shumicën e dokumenteve të kërkuara të cilat janë të finalizuara mund t’i shkarkoni nga ueb faqet e projektit PATEL dhe KEDS-it.

Bazuar në legjislacionin aktual dhe praktikat ndërkombëtare që për shkak të ndjeshmërisë së procesit, OJQ-të dhe institucionet që nuk janë pjesë e proceseve nuk mund të kenë qasje në dokumentet të cilat janë në formë drafti dhe nuk kanë marrë ende formën përfundimtare.

MZHE mbetet edhe më tej e hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe është e gatshme që sa herë që të ketë nevojë të organizojë takime të tilla, në të cilat në mënyrë të argumentuar dhe profesionale do të shestohen të gjitha çështjet me interes për zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjithashtu, shprehim gatishmërinë tonë që në çdo kohë të jemi pjesë e diskutimeve dhe tryezave të cilat do të organizohen nga OJQ-të, organizatat dhe asociacionet tjera.


Me respekt,
Ministria e Zhvillimit Ekonomik

'