5284 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 15 dhjetor 2011 - Aty ku ka fabrika, ka zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale, ka deklaruar sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë vizitës në kompaninë e ri-privatizuar Llamkos- GalvaSteel në Vushtrri, me ç’rast ka ritheksuar mbështetjen e Qeverisë për zhvillimin e sektorit privat.

Ministri Beqaj u shpreh se është i inkurajuar nga drejtuesit e kompanisë, të cilët kanë bërë të ditur se në procesin e privatizimit të Llamkos përmes likudimit procesi ka shkuar mbi 7 milionë euro dhe tanimë kompania ka rreth 350 të punësuar.

“Kjo është ajo çka i duhet ekonomisë së Kosovës. Kjo është në harmoni të plotë me vizionin për zhvillim ekonomik. Kemi thënë që sektori privat duhet ët jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe dinamika e sektorit privat do ta dikton pastaj edhe dinamikën e sektorëve të tjerë dhe natyrisht në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojë në rritjen e atraktivitetit të Kosovës”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se Llamkos është një shembull i mirë për investitorët e tjerë të huaj, të cilët do të gjejnë mundësinë e fitimit dhe kontributit të drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, derisa vlerësoi lartë përkushtimin dhe profesionalizmin e menaxhmentit të ri që ka sjell një kulturë vërtetë evropiane për menaxhimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës.

Ai ka premtuar se Qeveria do të marrë të gjitha masat që të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme ligjore për zhvillimin e sektorit privat duke hequr të gjitha barrierat e mundshme.

Nga ana e tij, drejtori i operativës i Llamkos- GalvaSteel, Arten Bajrushi ka falënderuar ministrin Beqaj duke shtuar se realizimi i kësaj vizite që në rifillim të prodhimit tregon mbështetjen që i japin institucionet sektorit privat.

Ai tha se me rastin e privatizimit me likuidim me një çmim prej 7.5 milionë euro, kompania ka marrë për obligim punësimin e 437 punëtorëve dhe investime në vlerë prej 25 milionë euro.

“Mund të them me mburrje se 350 vende punë veç janë mbushur, pra këto familje i gëzohen të ardhurave që marrin nga kompania jonë. Ne do të mbajmë premtimin deri në fund të shkurtit për pjesën e mbetur të punësimit dhe sa i përket investimeve”, tha Bajrushi, duke paralajmëruar hapjen e një linje të re të prodhimit.

Ndryshe, Llamkos GalvaSteel  është privatizuar nga Core Grup në korrik 2011 dhe vlerësohet një prej privatizimeve më të rëndësishme në Kosovë. Core Group është një kompani Ndërkombëtare e Metaleve dhe Minierave me zyra dhe agjentë në gjithë Ballkanin dhe pjesën tjetër të Botës.

'