5259 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 05.03. 2012 - Qeveria  Kosovës po i merr të gjitha masat për t’i reduktuar të gjitha barrierat si dhe për të lehtësuar hyrjen e biznesit në Kosovë, njëkohësisht edhe fuqizimin e sektorit privat, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente, Beqaj i bëri pas takimit me afaristët francezë, të cilët i informoi mbi zhvillimet ekonomike në vend, projektet dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e ekonomisë.

“Ne patëm një takim jashtëzakonisht të mirë me ambasadorin francez Fitou, por edhe me kryetarin e Odës Ekonomike Franko-Kosovare, takim i cili kishte për qëllim hulumtimin e mundësive për investime të reja në Republikën e Kosovës”, tha ministri Beqaj.

Ai tha se me afaristët francezë ka diskutuar rreth shembujve të suksesshëm të angazhimit të ekonomisë franceze në Kosovë siç është projekti i Aeroportit të Prishtinës, angazhimi i Aeroport De Lyon në Kosovë por njëkohësisht edhe për raste të tjera siç është “Peugot” dhe interesimi që po tregon ekonomia franceze në ekonominë e Kosovës.

“Përfaqësuesit nga rajoni i Lyon, i cili është i dyti për nga rëndësia dhe zhvillimi ekonomik në Francë, janë duke e hulumtuar tregun se çfarë mund të bëjnë në tregun tonë, i cili iu ofrohet atyre për në tregun e Evropës Juglindore”, tha kreu i MZHE-së.

Beqaj tha se i ka njoftuar ata me projektet të cilat Ministria është duke i bërë në fushat e energjisë, telekomunikacionit, minierave, me nevojën për përmirësimin e performancës të ndërmarrjeve publike.

Nga ana e tij, ambasadori francez në Kosovë, Jean Francois Fitou tha se vendi i tij është i angazhuar drejtpërdrejt edhe në fushën ekonomike në planin ekonomik kosovar dhe vizita e afaristëve nga regjioni i Lyonit hynë në këtë kuadër.

“Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur që potenciali ekonomik kosovar të dal në pah. Ne do të bëjmë gjithçka që  mundemi që të mbështesim institucionet qeveritare, të cilat dëshirojnë t’i thjeshtësojnë apo t’i largojnë barrierat për investime në Kosovë”, tha Fitou.

Ndërsa përfaqësuesi i afaristëve francezë, Francois Turcas u shpreh për thellimin e bashkëpunimit mes Odës Ekonomike Franko-Kosovare dhe Federatës Regjionale për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme nga Lyoni, që do të jetë një partneritet pragmatik.

Turcas vlerësoi se elementi industrial ekonomik i Kosovës i përngjan shumë elementit industrial ekonomik të Francës, duke paralajmëruar nënshkrimin e një marrëveshje me Oden Ekonomike Franko-Kosovare.

'