
Prishtinë, 08.05. 2012 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj së bashku me Kryetarin e Komunës së Drenasit Nexhat Demaku kanë vizituar të martën Ndërmarrjen NewCo Ferronikeli në Drenas.
Më këtë rast ministri Beqaj është shprehur se Ferronikeli është duke u treguar i suksesshëm ku njëherësh është duke u treguar i vëmendshëm në drejtim të mbrojtjes së ambientit. Ndërmarrja Ferronikeli po tregon sukseset e saja, e cila ka bërë investime kapitale dhe kohët e fundit ka tregu përkujdesje ndaj ambientit ku ka bërë investime mbi 12 milionë euro në ambient po ashtu ka vendosur matës të cilët janë të rëndësishëm, ka thënë ministri Beqaj, duke shtuar se kjo ndërmarrje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejt në raportet kontraktuale, e cila ka mbi 200 nën kontraktues.
Po ashtu ministri Beqaj theksoi se Ferronikeli ka mbi 1 mijë të punësuar i cili është kontribuues i fuqishëm i buxhetit. Është edhe një ndër kontraktuesit më të mëdhenj të KEK-ut, të Hekurudhave dhe ne si Qeveri jemi të interesuar që së bashku ti trajtojmë të gjitha çështjet që të kemi një mirëkuptim me këtë ndërmarrje, ka pohuar Beqaj i cili ka përgëzuar Ferronikelin për projektet sociale.
E kemi përgëzuar Ferronikelin për projektet sociale, të cilat tani është duke i marrë siç është ndërtimi i rrugës dhe projektet tjera të cilat bashkë me komunën kanë gjetur mirëkuptim ka thënë ministri Beqaj.
Ministri Beqaj i ka ofruar menaxhmentit të Ferronikelit bashkëpunimin qeveritar, i cili sipas tij është me interes të të gjithëve në veçanti qytetarëve. Ne i ofruam bashkëpunimin tonë si Qeveri përkujdesjen institucionale që çdo gjë e cila mund të jetë në duart e trajtimit institucional për të mirën e këtyre 1 mijë punëtorëve dhe komunës dhe mirëqenien e ndërmarrjes dhe stabilitetin e saj por gjithsesi në çdo moment duhet respektuar të gjitha obligimet që Kompania i ka marr edhe në raport me shtetin dhe ambientin përfshirë edhe obligimet për të punësuarit në këtë ndërmarrje ka thënë Beqaj.
Ai me tej ka pohuar se dy ministritë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Ambientit kanë një harmonizim të plotë sa i përket lejeve të integruara për ambient dhe dy ministritë i kanë inkurajuar të gjitha ndërmarrjet që të hynë në një proces të tillë sa më shpejt dhe të plotësohen të gjitha standardet.
Për ne është inkurajuese që ndërmarrja gjithashtu është në proces të certifikimit ndërkombëtar për standardet mjedisore dhe ky është një argument shtesë, sepse nuk flasim vetëm për leje në nivel nacional por flasim për standarde ndërkombëtare ka thënë ministri Beqaj.
Nga ana tjetër, Nexhat Demaku kryetar i komunës së Drenasit ka pohuar se tashmë është i informuar edhe për investimet që janë bërë në parandalimin e ndotjes së ambientit dhe vendosjes së filtrave, Unë konsideroj që është një punë jashtëzakonisht e mirë është një angazhim i nevojshëm nga ana e menaxhmentit të Ferronikelit, i cili investim është në të mirë të qytetarëve , ka thënë Demaku.
Ndërsa drejtori gjeneral i Ferronikelit Janis Moutafis ka falënderuar ministrin Beqaj dhe kryetarin Demaku për vizitën e bërë kësaj ndërmarrje, duke shtuar se llogarit në mbështetjen institucionale.
Jemi të bindur që do të vazhdojmë në përmirësimin e uzinës. Ne gjithashtu kemi aplikuar për licencë të APPC kemi marr disa komente nga Ministria e Ambientit në të cilat ne jemi përgjigjur ato tashmë janë duke u shqyrtuar por duhet pasur parasysh që ky është një proces i ri si për ne po ashtu edhe për Qeverinë e Kosovës dhe nuk mund të them se sa kohë mund të marr kjo çështje, por shpresoj që shpejt do tia dalim dhe të licencohemi me këtë leje ka thënë Moutafis.