5220 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 16.07.2012 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në takim Gregg Fairbrothers, profesor në “Entrepreneurship at the Tuck School of Business dhe William Wechsler, zëvendës president dhe ligjërues në American University in Kosovo me të cilët ka diskutuar për zhvillimin e programeve për aftësimin e ndërmarrësve.

Profesorët nga institucionet e arsimit të lartë kanë lansuar idenë e krijimit të rrjetit të ndërmarrësve përmes krijimit të inkubatorëve për zhvillimin e ndërmarrësisë, ku ndërmarrësit do të kenë mundësi të aftësohen dhe përfitojnë njohuritë nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Nga ana e tij, ministri Beqaj ka njoftuar profesorët për orientimet ekonomike të Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për programet që do tu ndihmojë studentëve që të përfitojnë njohuritë dhe praktikat më të reja të ndërmarrësisë.

“Zhvillimi i sektorit privat është prioritet kyç dhe Qeveria është duke investuar në projekte kapitale me qëllim të krijimit të infrastrukturës fizike dhe ligjore, gjë që do të ndikonte në përmirësimin e kushteve që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, struktura kryesore që mund të jetë bartëse e këtij procesi janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe Qeveria është e orientuar drejt krijimit të parakushteve për zhvillimin dhe avancimin e inovacionit, që ndërmarrjet tona të jenë më konkurruese në tregun vendor dhe ato ndërkombëtar.

Ministri Beqaj tha se Kosova ka potencial të fuqishëm njerëzor, i cili mund të aftësohet përmes programeve të ndryshme dhe kjo mund të konsiderohet si përparësi si për investitorët vendorë, ashtu edhe për investitorët e huaj.

'