5217 - Galeria_single | MMPH

'

Në shtojcën e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (Preportr) është botuar teksti “KEK korporata e korrupsionit”,  ku janë dhënë të pavërteta dhe insinuata që kanë të bëjnë me çështjen e mos ndërmarrjes së masave konkrete dhe hapjen e procedurave ndërkombëtare për dëmet të cilat i janë shkaktuar Kosovës nga veprimtaria e jashtë ligjshme e Operatorit të transmisionit të Serbisë (EMS).

Për të gjitha konstatimet jo korrekte të dhëna në tekst gazetarët e Preportr kanë mundur që të informohen në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, pasi që, edhe vet shumë herë kanë theksuar se me këtë Ministri nuk kanë pas asnjëherë probleme për qasje në dokumentet zyrtare.

KEK-u, gjegjësisht KOSTT-i i janë drejtuar Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE) lidhur me sjelljet kundër ligjore të EMS-së. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë duke respektuar procedurat e parapara ligjore ka dhënë mendimin e bazuar që KOSTT-i është përfaqësues i vetëm legjitim në lëmin e transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë  dhe e ka obliguar EMS-në që të bëjë kompensimin e dëmit të shkaktuar.(shtojcë: Aktivitete e KOSST-it).

Pasi që EMS nuk ka realizuar mendimin e bazuar (vendimin), duke u mbështetur në procedurat e parapara ligjore të SKE-së, ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj në korrik të këtij viti ka kërkuar nga SKE që për takimin e ministrave të energjisë i cili do të mbahet në Budvë të Malit të Zi më 18 tetor 2012 në rend të ditës të caktohet edhe shqyrtimi i ankesës së Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) – që ka të bëjë me mos përmbushjen e obligimeve të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) në pajtim me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.(shtojcë: letra e ministrit Beqaj dërguar Slavko Neykov, Drejtor Sekretariati i Komunitetit të Energjisë).

Gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se MZHE, gjegjësisht ministri Beqaj në kohën e aplikimit të masave të reciprocitetit ndaj mallrave nga Serbia nga ndërmarrjet publike ka kërkuar te analizohen kontratat me kompanitë nga Serbia dhe në bazë të vendimit të Qeverisë të ndërpresin raportet afariste. Nga kjo që u tha shihet që nuk qëndrojnë vlerësimet e dhëna në tekst dhe se MZHE dhe KOSTT kanë ndërmarr të gjitha masat e mundshme ligjore të parapara me Traktatin e Energjisë.

'