5208 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 07.09.2012 - Kosova dhe Maqedonia kanë një bashkëpunim të shkelqyeshëm politik dhe ky bashkëpunim reflektohet edhe në fushën ekonomike në mes të dy qeverive, ka deklaruar ministri i Zvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjatë takimit të dytë të Komitetit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik, që u mbajt sot në Shkup.

Ministri Beqaj në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij, ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë, Valon Saraqini ka shprehur besimin se do të intesifikohet bashkëpunimi edhe në sektorin privat dhe këto raporte të shkëlqyeshme do të reflektohen edhe në rritje sa më të fuqishme të këmbimeve tregtare mes të dy vendeve.

“Është një moment jashtëzakonsht i rëndësishëm që të bëjmë një intensifikim të marrëdhënieve ekonomike në mes të Republikës së  Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, intensifikim i cili kërkohet edhe më shumë në momentin kur në Botë e posaçërisht në Evropë kemi një krizë e cila edhe më tutje po trajtohet”, tha Beqaj.

Kreu i MZHE-së tha se e ka njofuar ministrin Saraqini për nismën që Republika e Kosovës e ka marrë kohën e fundit për infrastrukturë, respektivisht  fillimin e ndërtimit të rrugës 6, autostradës Prishtinë-Shkup gjë që i mundëson dy ekonomive tona një këmbim dhe një lëvizje shumë më të lirë.

"Roli i qeverive shihet në atë që të eliminohen të gjitha barrierat ekonomike, qofshin ato ligjore, qofshin ato procedurale respektivisht të krijohet infrastrukturë e cila ju mudëson atyre të komunikojnë”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj me këtë rast ka vënë në dukje potencialin që ka Kosova në fushën  energjetikës, ndërsa shtoi se legjislacioni i fushës minerare hapë mundësinë që Republika e Kosovës të jetë më inovative në fushën e shfrytëzimit tw këtyre resurseve me teknologjitë më të reja.

Sipas Beqajt, pjesë e diskutimeve ishte mundësia e lidhjes së Kosovës në unazën e gazit, këmbimet tregtare, fusha e prodhimitarisë dhe synimi për qasjen të përbashkët në tregjet rajonale dhe me gjerë.

Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini tha se në takimin e dytë të Komitetit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik do të fokusohen në sferën e energjisë, do të trajtohen edhe temat e tjera të ekonomisë siç janë eksploatimi dhe hulumtimi i mineraleve, turizmi, bujqësia etj.

“Ajo që dua të potencoj është se Republika e Maqedonisë në mbledhjen e fundit ka aprovuar marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve në të dyja vendet e cila së shpejti  do të nënshkruhet nga ministritë e financave të Maqedonisë dhe Kosovës në mënyrë që investimet të kenë një tretman më të mirë”, tha Saraqini.

Ai tha se gjithashtu është diskutuar edhe për këmbimin tregtar, ngase Republika e Kosovës është një partner i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë, për kfaktin se Kosova ka vendin e tetë sa i përket eksportit maqedonas.

“E gjithë kjo tregon që këto dy vende kanë potencial të madh dhe një mundësi më të madhe për të bashkëpunuar. Unë besoj se që sot së bashku me ministrin Beqaj në këtë Komitet të përbashkët do të ketë konkluza konkrete të cilat të dy minsitritë do t’i procesojnë në mënyrë që deri në takimin e ardhshëm të kemi edhe rezultate konkrete”, tha ai.

Ndryshe, në kuadër të takimit të dytë të Komitetit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Maqedoni, i cili rrjedh nga marrëveshja bilaterale për bashkëpunim ekonomik, delegacionet e të dyja vendeve në nivel ekspertësh kanë identifikuar dhe shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushat si energjia, minierat, turizmi, bujqësia etj.

'