5188 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 18.10.2012 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka thënë sot në Budvë të Malit të  Zi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që të realizojnë të gjitha obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe se angazhohet për bashkëpunim dhe krijimin e tregut të përbashkët të energjisë në rajon.

Në këtë takim Kosova ka marrë pjesë me kapacitetet e shtetit të pavarur dhe sovran dhe pa pjesëmarrjen e UNMIK-ut.

Duke folur në Takimin e Dhjetë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ministri Beqaj ka theksuar se në kuadër të realizimit të objektivave zhvillimore dhe obligimeve kushtetuese dhe ligjore, Kosova ka ndërmarrë aktivitete konkrete në drejtim të  ndryshimeve strukturore edhe në  lëmin e energjisë.

Ministri Beqaj potencoi  rolin e Zyrës së  Rregullatorit të  Energjisë në procesin e mëtejmë në këtë sektor, duke theksuar rolin e Rregullatorit sa i përket çmimeve të  energjisë  elektrike, investimeve në  ketë  lëmi dhe çështjeve të tjera rregullatore.

Kreu i MZHE-së foli edhe për investimet në këtë lëmi duke potencuar investimet në  ndërtimin e hidrocentraleve në regjionin e Deçanit ku një kompani austriake ka investuar mjete të konsiderueshme në ndërtimin e HC me kapacitet të përgjithshëm prej 23 MW.

Kosova është e përkushtuar që deri në vitin 2017 të kryhet dekomisionimi i TC Kosovës A, ashtu siç është  premtuar, tha ministri Beqaj.

Ai informoi të  pranishmit që Kosova gjatë vitit 2013-2014 do t’i përfshijë në ligjet e vendit dispozitat dhe obligimet nga pakoja e tretë  e direktivave të Komunitetit të  Energjisë, ndërsa implementimi i tyre do të fillojë në vitin 2015.

Ministri Beqaj gjithashtu kërkoi dhe Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë aprovoi kërkesën e tij që të përshpejtohet procedura lidhur me përfundimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë lidhur me kontestin që  KOSST-it dhe KEK-ut  kanë me kompaninë Elektroprenos dhe EPS nga Serbia.

Takimi aprovoi edhe rregulloret dhe direktivat përkatëse për statistikat, të  cilat në  mes të  tjerash do të mundësojnë transparencë më të madhe në çmimet e energjisë elektrike dhe për gazin natyror si dhe për burimet e ripërtritshme të energjisë.

Direktiva për burimet e ripërtritshme të energjisë do të krijon infrastrukturën ligjore në  drejtim të zhvillimit të sektorit të BRE-ve dhe do të mundësojë caktimin e cakut të cilin duhet arritur deri në vitin 2020.

Me propozimin e ministri Beqaj, Këshilli i Ministrave aprovoi që shoqëria civile të  përfshihet sa më shumë që është e mundur në realizimin e Strategjisë së Energjisë së  Komunitetit të  Energjisë, duke thënë mendimet dhe sugjerimet e veta lidhur me ndikimin e këtyre projekteve në mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit.

Ministri Beqaj ka shprehur përkrahjen e Kosovës në zgjedhjen e Janez Kopaq, kuadër nga Sllovenia për drejtor të  Sekretariatit të  Komunitetit të Energjisë.

'