5165 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 17.12. 2012 - PRISHTINË - Qeveria e Kosovës është e përkushtuar me partneret e vet ndërkombëtarë si SDC që të gjitha mjetet financiare që janë vënë në dispozicion nga taksapaguesit e Zvicrës dhe Kosovës të shfrytëzohen për të krijuar një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës, ka thënë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri sot me rastin e inaugurimit të projektit të zgjerimit të rrjetit të ujësjellësit të zonës 4 të qytetit të Ferizajt, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Ferizajt - Agim Aliu, përfaqësuesi i SDC-së - Markus Baechler, kryeshefi ekzekutiv KRUK “Bifurkacioni” Ferizaj dhe zyrtarë të tjerë.

“Besoj që përkushtimi  i Qeverisë po shihet nga projektet që kemi realizuar brenda këtij viti në ndërmarrjet publike. Gjatë këtij viti janë investuar mbi 85 milionë euro në përmirësimin e rrjetave, në menaxhim e ndërtimin e kapaciteteve të reja, qoftë energji, përmirësim të rrjetit të ujit apo ujërave të zeza, etj”, tha ministri Beqaj.

Ai tha se në këta sektorë deri tani kanë përfituar qytetet si Prizreni  dhe Gjakova, derisa në vitin që vjen Ferizaj është në agjendë qeveritare, ndërsa ka shtuar se këtë vit ka pasur projektin e rëndësishëm për cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Beqaj ka falënderuar Qeverinë Zvicerane që ka ndihmuar me mbi 8 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e ujërave në Kosovën juglindore, që problemi i qytetarëve me ujin apo cilësinë e tij t’i takojë të kaluarës.

Nga ana e tij, Agim Aliu kryetar i Ferizajt tha se me këtë projekt të rëndësishëm për Ferizajn, banorët e këtyre lagjeve do të kenë ujë të pijes dhe me këtë hapet perspektiva e fazën së dytë për të përmbushur kapacitetet qind për qind për pjesën urbane të qytetit.

Ai ka falënderuar ministrin Beqaj dhe Qeverinë Zvicerane që në çdo etapë të shtimit të kapaciteteve e kanë përkrahur dhe mbështetur këtë projekt.

Përfaqësuesi i SDC-së Markus Baechler  është shprehur i kënaqur me finalizimin e pjesës së parë të këtij projektit që furnizon me ujë të pijes 500 konsumatorë të rinj apo 3 mijë banorë.

“Kjo u realizua falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Qeverisë Zvicerane, MZHE-në, KKRU Bifurkacioni dhe Komuna e Ferizajt. Komponenta tjetër do të zgjerojë rrjetin e furnizimit. Po ashtu ne do të ndihmojmë kompaninë Bifurkacioni me program të faturimit dhe kontabilitetit. Inkurajojmë qytetarët të jenë të përgjegjshëm e të paguajnë faturat e ujit”, tha Baechler.

Faton Frangu, kryeshef ekzekutiv i  KRUK Bifurkacion tha se zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit  të zonës  4 të pjesës urbane të qytetit të Ferizajt do t’u mundësojë furnizim me ujë cilësor qytetarëve që deri tash janë furnizuar nga puset individuale që nuk kanë plotësuar kriteret e cilësisë.

Ndryshe, projekti “Furnizimi me ujë të pijshëm në Kosovën juglindore”, KKRU Bifurkacioni - Ferizaj  është një investim prej 5.4 milionë euro, bashkëfinancim i MZHE, SDC dhe KK Ferizaj.

'