5062 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 01.08.2013 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Ian Cliff, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësi i tij, Joe Preston, dhe O’Riley Collins përfaqësues i CEO Greenhouse Capital, me të cilët ka diskutuar mundësinë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik.

Me këtë rast, Ministri Ismajli pasi falënderoi diplomatin britanik për ndihmën që ky vend i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, e njoftoi atë me orientimet e MZHE-së për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme siç janë infrastruktura rrugore, hekurudhore me qëllim të afrimit të vendit me rajonin dhe më gjerë.

Kreu i MZHE-së ka theksuar angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët duke rritur performancën e Ndërmarrjeve Publike, ku një kontribut të çmuar kanë dhënë edhe vendet mike me mbështetjen e tyre.

Gjithashtu, Ministri Ismajli ka vënë në dukje se ndër prioritetet e MZHE-së janë edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si parakusht për zhvillim ekonomik dhe ekonomizimin e resurseve energjetike të Kosovës si dhe rritjen e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të ripërtritshme.

Ministri Ismajli ka mirëpritur interesimin e CEO Greenhouse Capital që të shtrij aktivitetin e saj edhe në Kosovë duke ofruar shërbime profesionale konsulente në zhvillimin e strategjive për rritjen e kapitalit, propozim-investimet etj, duke pasur parasysh përvojën që posedon përfshirë edhe ekspertizën në lëmin e metaleve të çmuara.

Nga ana e tij, Ambasadori Cliff ka ritheksuar vazhdimin e mbështetjes që Mbretëria e Bashkuar do t’i japë Kosovës edhe në të ardhmen në arritjen e synimeve të saj në zhvillimin ekonomik, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e mirë të deritashëm.

'