5027 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 14.11.2013 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka marrë pjesë në konferencën e investimeve në fushën e energjisë të organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ku po marrin pjesë ministrat e vendeve anëtare të TKE-së, Komisioni Evropian, BERZH, KfW, Banka Botërore dhe institucione tjera bankare dhe financiare.

Në konferencë temat kyçe që u diskutuan ishin nevoja e investimeve në projektet me interes për Komunitetin e Energjisë, kapacitetet gjeneruese dhe transmisionit, sfidat me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet vendore si dhe fusha rregullative e vendeve përkatëse.

Me këtë rast, Ministri Ismajli theksoi rëndësinë dhe planet e investimeve në gjenerim  respektivisht në rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese si dhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, përmirësimin dhe ngritjen e kapaciteteve transmetuese etj.
 
Po ashtu ministri Ismajli edhe një herë siguroi të pranishmit që mbyllja e termocentralit “Kosova A” është e lidhur ngushtë me ndërtimin, përkatësisht hyrjen në operim të termocentralit të ri.

Gjithashtu, theks të veçantë, ministri Ismajli i ka dhënë efiçiencës së energjisë dhe politikave shtetërore në këtë sektor duke e cilësuar si një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe ka shtuar se tashmë janë dhënë një numër grantesh dhe kredi të buta për studime fizibiliteti dhe implementim të masave të EE nëpër ndërtesa publike në nivel lokal dhe qendror.

Në këtë linjë, Ismalji ka informuar të pranishmit me kapacitetet për burimet e ripërtritshme të energjisë. “Plani i Dytë Nacional i BRE-ve 2011-2020 sapo është aprovuar përmes të cilit Kosova do të arrijë caqet indikative që 29.47% të konsumit total të jetë nga burimet e ripërtritshme. Momentalisht Zyra e Rregullatorit në Kosovë është duke shqyrtuar 27 aplikacione për gjenerim nga BRE-të”, tha ai.

Ndryshe, në konferencë janë diskutuar përparësitë dhe sfidat që ekzistojnë në rajon, si nga aspekti i infrastrukturës ashtu edhe nga ajo rregullative.

Ndryshe, në margjinat e konferencës, ministri Ismajli la zhvilluar takime të veçanta me homologë nga vendet pjesëmarrëse dhe bankierë me të cilët ka diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit në fushat e sipërpërmendura.

'