5025 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 18.11.2013 - Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe të njëjtat duhet të reflektohen edhe në sferën e ekonomisë, kështu u vlerësua në takimin e tretë të Komitetit të Përbashkët Kosovë-Maqedoni për  bashkëpunim ekonomik, që u mbajt sot në Shkup nën drejtimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe Ministrit i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraqini.

Delegacionet e dy vendeve kanë diskutuar çështjet e interesit të përbashkët si:, energjetika, bujqësia, turizmi, hekurudhat dhe ujërat. Ndërkaq, palët u dakorduan që në shkurt të vitit 2014  të organizohet një forum i përbashkët ekonomik Kosovë-Maqedoni ku do të marrin pjesë kompanitë nga dy vendet me qëllim të bashkëpunimit në qasjen e përbashkët në tregjet e treta.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli tha se janë duke planifikuar nënshkrimin e marrëveshjes së interkoneksionit në mes të dy operatorëve të sistemit të transmetimit Kosovë – Maqedoni.

”Linja e dytë 400 kV Kosovë – Maqedoni do të jetë në interes të të dyja palëve dhe kjo do të shkojë paralel me ndërtimin e gjeneratorëve në Kosovë dhe Maqedoni dhe e cila do të mundësojë një shkëmbim më intensiv në mes të dyja vendeve në aspektin energjetik por është projekt i cili do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike jo vetëm në mes të dyja vendeve por edhe në rajon duke mbyllur unazën e rëndësishme, Shkup, Manastir, Elbasan, Tiranë, Prishtinë”, tha Ismajli.

Sipas tij, çështjet tjera që janë diskutuar në takim kanë qenë turizmi, infrastruktura, e në këtë kuadër edhe autostrada Prishtinë – Shkup, e cila pritet të fillojë në vitin e ardhshëm e që do të jenë një shtytës i bashkëpunimit ekonomik.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraqini tha se të dy vendet kanë potencial të madh për bashkëpunim ekonomik dhe këto potenciale duhet të shfrytëzohen nga të dyja qeveritë, ndërsa bashkëpunimi në fjalë duhet të bartet edhe në nivele tjera siç janë Odat Ekonomike dhe kompanitë.

Sa i përket lidhjes së Shkupit me pikën kufitare me Kosovën- Bllacë, Saraqini tha se Qeveria e Maqedonisë është në stadin e hulumtimit të mënyrës së financimit, ndërsa në rastin e kundërt, sipas planit qeveritar ky projekt parashihet të përfshihet në buxhetin e vitit 2015.

Ndryshe të dy ministrat, Ismajli dhe Saraqini duke u nisur nga përvoja e kaluar, ritheksuar vullnetin e të dy qeverive që të shmangin çdo situatë që do të pengonte bashkëpunimin bilateral.

'