4984 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 06.03.2014 - Në kuadër të angazhimeve institucionale për përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Gjelosh Vataj kanë lëshuar sot në punë dy puse uji në fshatin Llukar të Prishtinës me kapacitet prej 30 l/s.

Ministri Ismajli me këtë rast tha se janë marrë të gjitha masat për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe në këtë linjë hyjnë këto puse, punimet në Gërmi dhe punimet për ndërrimin e gypit të sistemit të Ibër – Lepencit që lidh me Liqenin e Badocit që do të zgjidhte dukshëm mungesën e ujit, ngase sjell rreth 300 l/s nga Ujmani.

“Studimet dhe analizat për të ardhmen dhe planifikimin afatgjatë të furnizimit të Prishtinës më ujë vazhdojnë dhe varësisht nga rezultatet e këtyre studimet do të zgjidhet mënyra e cila është më pak e kushtueshme dhe njëkohësisht e cila zgjidh problemin afatgjatë për ujë të pijshëm në Komunën e Prishtinës”, tha Ismajli.

Sipas kreut të MZHE-së, uji në këto puse është i sigurt dhe sadopak e zbut mungesën e ujit në Prishtinë, ndërsa kuadrot në institucione janë duke punuar edhe për të ardhmen.

Nga ana e tij, Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujit - KRU “Prishtina” Gjelosh Vataj, tha se kjo kompani ka startuar me dy puse me rreth 30 l/s, projekt që kap vlerën prej 30 mijë euro, por kjo do të jetë vetëm faza e parë, derisa dje në Badoc kanë filluar punimet për ndërrimin e 500m gyp për mbushjen e liqenit të Badocit, që pritet të nis brenda javës së ardhshme.

Sipas tij, në Gërmi do të vazhdojnë me punime dhe është duke u bërë krejt çfarë munden që ashtu siç iu kanë premtuar qytetarëve që Qeveria e Kosovës dhe KRU Prishtina nuk do t’i lënë pa ujë.

'