4949 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 05.08.2014 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik  Fadil Ismajli priti sot në takim përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), me të cilët  ka diskutuar për zhvillimet në sektorin energjetik ,për sigurinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve për periudhën e ardhshme respektivisht për muajt e dimrit.

Në takim u theksua se prioritet është siguria e furnizimit me energji për konsumatorët me impakt minimal në tarifa, pra të ketë sa më pak ngarkesë shtesë për konsumatorët, kurse operatorët të vlerësojnë mundësitë për kursime aty ku është e mundur në këtë fazë.

Gjithashtu, u dakordua që në ditët në vijim të sforcohen përpjekjet në mes të të gjithë akterëve të sektorit energjetik për gjetjen e kësaj zgjidhjeje, ku një rol të ndjeshëm ka edhe sensibilizimi i konsumatorëve për kursim të energjisë sidomos gjatë muajve më të ftohtë atëherë kur edhe kërkesa për energji pritet të rritet në masë të konsiderueshme.

ZRrE ka pranuar kërkesat nga operatorët dhe të njëjtat do të shqyrtohen në bazë të rregullave të saj, ku deri në fund të muajit gusht të këtij viti pritet që ZRrE të dal me skenarët e mundshëm të zgjidhjes.

Qeveria me kujdes po e përcjell situatën dhe do të angazhohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.

'