4938 - Galeria_single | MMPH

'

Shtime, 13.10.2014 - Në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë”, sot në Komunën e Shtimes me një ceremoni rasti është inauguruar përfundimi i rinovimit të shkollës fillore "Emin Duraku", ku morën pjesë drejtues së Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komunës së Shtimes dhe zyrtarë lokalë.

Zv. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani me këtë rast tha se me zbatimin e masave të efiçiencës në këtë shkollë, përveç se krijohen kushte më të mira për nxënësit, në të njëjtën kohë ulet kërkesa për energji.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës i jep një rëndësi të  veçantë rritjes së efiçiencës së energjisë dhe vlerësoi se projektet të tilla janë në drejtim të arritjes së këtij objektivi, derisa falënderoi Zyrën Ndërlidhëse të BE-së për mbështetjen që po jep në këtë fushë.

Ndërsa, Christof Stock, Shef i Seksionit të Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të BE-së në Prishtinë, tha se më këtë projekt nxënësit do të kenë kushte më komode për punë, duke ritheksuar mbështetjen e institucionit që përfaqëson për projektet e tilla në Kosovë.

Nga ana e tij, Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti ka falënderuar KE-në që ka mundësuar realizimin e këtij projekti, me të cilin përmirësohen dukshëm kushtet e punës së nxënësve.

Projekti zbatimi i masave për efiçiencë të energjisë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa ka për qëllim implementimin e këtyre masave në 63 shkolla ekzistuese nëpër komunat e ndryshme të Kosovës, si dhe në dy klinika në Prishtinë. Vlera e gjithmbarshme e investimeve për këtë projekt është afër 17 milionë euro.

Masat për efiçiencë të energjisë për promovimin e shfrytëzimit më racional të energjisë fokusohen në: pakon me përmirësime të objektit (siç janë termo-izolimi i jashtëm i objekteve, zëvendësimi i dritareve dhe dyerve të jashtme, hidro-izolimi i kulmeve, etj.), ngrohja, sistemet e rrymës elektrike dhe të ndriçimit, sistemet për kontrollim të ventilimit dhe të ftohjes, prezantimin e burimeve të energjisë së ripërtërishme, siç janë panelet solare për ngrohjen e ujit, si dhe sistemet e ngrohjes dhe ftohjes të asistuara nga energjia solare.

'