4894 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 17.04.2015 - Sa është i rëndësishëm sigurimi i energjisë elektrike, po aq të rëndësishme janë edhe pjesët e tjera të sistemit, si rrjeti dhe transmetimi sepse modernizimi i tij mundëson që furnizimi me energji të jetë më cilësor dhe rrit kapacitetet transmetuese dhe transformuese, duke ditur që edhe KOSTT-i në optiken e euro integrimeve e ka një rol të rëndësishëm, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Ministri i bëri në ceremoninë e vënies së gurthemelit me rastin e fillimit të implementimit të projektit për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë-Programi IV dhe V i Sektorit, që u mbajt në Nënstacionin 400/110 kV Ferizaj 2, ku të pranishëm ishin Ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, drejtori për bashkëpunim i zyrës së  BE-së, Libor Chlad, drejtori i KfW për Evropën Juglindore, Christoph Tiskens dhe drejtues të KOSTT.

Staviceli tha se Qeveria do të mbështes gjithmonë investimet kapitale që e përmirësojnë infrastrukturën energjetike, që është edhe prioritet i saj, në kuadër të prioriteteve në këtë sektor, siç janë ndërtimi i kapacitetet e reja energjetike ashtu siç janë të parapara në Strategjinë e Energjisë.

Ai tha se nuk mund të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe vende të reja të punës nëse nuk kemi infrastrukturë fizike dhe nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets tha me këtë rast se vendi i saj që nga viti 1999 përmes KfW ka investuar 155 milionë euro në sektorin e energjisë, duke shtuar se ky sektor duhet të vazhdojë të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të ketë investime, ndërsa Gjermania do të vazhdojë mbështetjen e saj.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Naim Bejtullahu ka vlerësuar se ky  projekt është pjesë e projektit “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Programi IV dhe V I   Sektorit” i cili parasheh implementimin e dhjetë projekteve që mundësohen përmes kredisë komerciale afatgjate që KOSTT ka siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW me kushte kredituese të buta në vlerë prej 23,5 milionë euri si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej 7.35 milionë euro përmes programit IPA.

Sipas tij, implementimi i këtij projekti do të ketë ndikim të theksuar në sigurinë besueshmërinë  dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit rritjen e kapaciteteve.

'