4889 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 05.06.2015 - Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk mund të arrihet pa zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionin dhe për këtë nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, ky është konstatimi që doli nga Forumi “Zhvillimi Ekonomik përmes teknologjisë së informacionit dhe të  inovacionit”, që për herë të parë u zhvillua në Prishtinë në organizim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Në hapje të forumit, morën pjesë drejtuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, si Kryeparlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Isa Mustafa, Ministri Blerand Stavileci dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të fushës së TIK-ut, inovacionit, institucioneve arsimore dhe donatorë potencialë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se sektori i TIK-ut është bazik kur dihet se kemi një numër të madh të të rinjve që perspektivën e shohin në dije në fushën e Teknologjisë Informative dhe kanë ambicie për inovacionin. Ai tha se në programin qeverisës parashihet informatizimi i të gjitha shkollave në mënyrë që nxënësit të aplikojnë TI-në në të gjitha fazat e arsimit të tyre me çka krijohet kultura e kësaj teknologjie.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha me këtë rast se nuk do të ketë zhvillim ekonomik pa përparim të teknologjisë informative dhe premtoi përkrahjen e fuqishme të Kuvendit për përmirësimin e kornizës legjislative me qëllim të stimulimit të këtij sektori të rëndësishëm. Ai tha se është koha të themelohet edhe Universiteti i Teknologjisë së Informacionit, për çka Kuvendi është i gatshëm të jap objektin e tij që ndodhet në Parkun e Gërmisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci theksoi se ne si shoqëri, si Qeveri në veçanti duhet të mendojmë më shumë për ekonominë kreative dhe për ekonominë digjitale dhe duhet të fillojmë që sistemin e edukimit duhet t’ia përshtatim kërkesave të tregut të punës, siç është TIK dhe inovacioni, ku më se lehti mund të gjenerohen vende të reja të punës.

Stavileci tha se TI ndërlidhet me të gjithë sektorët, energjinë, infrastrukturën dhe biznesin, andaj ne kryesisht duhet të bazohemi në këto tri komponente: e-infrastrukturën; e-biznes dhe e-ekonominë dhe iniciativat e Qeverisë do të shkojnë në këtë drejtim.

Kreu i MZHE-së paralajmëroi se së shpejti do ta kemi Strategjinë për TI-në dhe Fondin për Zhvillimin e Inovacionit që do të jetë  një përkrahje specifike për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimet elektronike.

Më pas përfaqësues nga biznesi i TI dhe Inovacioni në pesë panele tematike diskutuan për zhvillimet aktuale në këtë sektor, sfidat me të cilat ballafaqohen dhe mundësitë që ofron ai për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, ndërsa kërkuan më shumë mbështetje nga Qeveria.

'