4645 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 11.12.2017 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka bërë të ditur se sektori i Teknologjisë së Informimit është ndër prioritet e MZHE-së, si gjenerues i zhvillimit ekonomik, andaj ka përmendur projektet që kanë të bëjnë me ‘ekonominë digjitale’, të cilat po çohen përpara në bashkëpunim  Bankën Botërore. Nw këtë drejtim, ka paraqitur edhe mundësitë tjera financiare për të mbështetur këtë sektor.

Këto komente, kreu i MZHE-së i bëri me rastin e prezantimit të të gjeturave të raportit të ‘IT Barometrit 2017’ nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), e cila njëherit kishte organizuar edhe një debat rreth fokusit të sektorit të TIK-ut.

Ministri Lluka theksoi se Banka Botërore i ka konfirmuar se deri në mars ose qershor do të dismbursohet shuma e kredisë prej 37 milionë dollarë që parasheh fillimin e projektit për shtrirjen e rrjetit e me fibra optik në tërë Kosovën, që do të mbulojë më pas 98 për qind të territorit të Kosovës me kualitet te lartë të internetit. Ndërsa, rreth 20 për qind e këtij fondi do të përdoret për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe promovim të atyre aktiviteteve të shkathtësive që ne zhvillojmë.

“Pjesa e dytë e projektit është Tech Parku që kemi paraparë me buxhet, ku kemi ndarë 300 mijë ero investim brenda këtij parku, por edhe fond shtesë për aktivitetet e zhvillimit të Tech Parkut më tutje”, tha ai, duke shtuar se ka dy kompani të huaja që kanë shpreh dëshirë të vijnë në Kosovë dhe të shfrytëzojnë resurset vendore.

Në këtë linjë, sipas Ministrit Lluka, kemi edhe pjesën e IPA fondeve, rreth 7 milionë euro që presin këtë vit që të shkojnë në zhvillim të kapaciteteve njerëzore dhe projektin WOW, i cili targeton gjininë femërore, në mënyrë që të behën pjesë e tregut të punës.

“Përveç kësaj, është mirë që bashkërisht të vijmë me një program që i shërben nevojave  tuaja. Ne mund ta mbulojmë pjesën se kah t’i fokusojmë fondet për zhvillim, çfarë lloj kapacitetesh njerëzore, çfarë shkathtësi dhe infrastrukture. Kjo është pjesa që mbulon  Ministria që drejtoj dhe besoj që do të keni qasje më tepër në donacione, kredi të ndryshme dhe në fondet tona buxhetore”, ka thënë i pari i MZHE-së.

Në cilësinë e koordinatorit të bashkëpunimit ekonomik me Hungarinë, Ministri Lluka tha se ky vend ka dhënë një kredi prej 62 milionë euro me zero për qind  interes për 30 vite, që është një mundësi që në kuadër të saj të kemi një program të përbashkët për ta zhvilluar edhe me tej fushën e TIK-ut.

'