4564 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 14.11.2016 - Para disa kohë ka qenë e vështirë për ta mbushur shportën me prodhime vendore, sot kjo gjë është e mundur dhe për ta mbajtur këtë natyrisht që duhet punë e të gjithë neve, megjithëse ka hapësirë për përmirësime, si nga institucionet shtetërore por edhe nga sektori privat, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Stavileci i bëri në hapje të aktivitetit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2016”, që organizohet nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, aktivitet ky që u mbështet edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Disa biznese sot po e mbulojnë tregun e Kosovës, por kanë nisur të shpërthejnë edhe në tregjet e tjera, si në Austri, Turqi, Itali dhe ky është një tregues i rëndësishëm që bizneset tona po prosperojnë”, tha Stavileci, duke shtuar se në të kaluarën sektori i bujqësisë ka qenë i nënvlerësuar, mirëpo është ngritur me disa masa stimuluese.

Kreu i MZHE-së bëri të ditur se pas disa javëve do të nënshkruhen kontratat komerciale me investitorin amerikan në mënyrë që shumë shpejt të nis ndërtimi i TC Kosova e Re me çka pas një periudhe 20 vjeçare të harrohet një problem i cili i ka penguar bizneset dhe gjithë qytetarët e vendit tonë.

Ndërsa, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami theksoi që MTI dhe Qeveria e Kosovës mbesin të angazhuara në përmirësimin e ambientit për të bërë biznes në vend, ku përfaqësuesit e bizneseve kanë rol shumë të rëndësishëm.

“Ky angazhim është vënë re në rangimin e Kosovës në raportet ndërkombëtare si edhe në veprimet konkrete që janë ndërmarrë deri me tani si: Investimi në zonat industriale, krijimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, përmirësimin e legjislacionit, shkurtim i taksave, eliminim i burokracisë etj”, tha ajo.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se për të katërmbëdhjetën herë po realizohet fushata “Javët e Biznesit Kosovar”, rëndësia e të cilët është jashtëzakonisht e madhe.

“Konsumimi i prodhimeve vendëse nuk është vetëm vlerë ekonomike, por edhe vlerë kombëtare dhe që qytetarët duhet t’i japin prioritet konsumimit të prodhimeve vendore, nga të cilat pos përfitimit dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, rritet edhe mirëqenia qytetare, punësimi dhe zhvillimi ekonomik i shtetit”, tha Shahini.

Sipas tij pa zhvillim ekonomik nuk ka përparim dhe institucionet prioritet duhet t’i japin zhvillimit të sektorit priva., për çka duhet krijuar politika sa më të favorshme për të eliminuar barrierat që kanë bizneset.

“Javët e Biznesit Kosovar 2016” do të vazhdojë me aktivitete deri me 14 dhjetor në vende të ndryshme.

'