4552 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 06.10.2016 - Komisioni funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ka shqyrtuar sot në parim Projektligjin Nr. L-120 për Trepçën dhe i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të  shmang Rregulloren e punës dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit Nr. L-120 për Trepçën të bëjë në Seancën Plenare të datës 7.10.2016, duke rekomanduar miratimin e tij në parim.

Pro këtij rekomandimit, përveç anëtarëve të koalicionit qeverisës në këtë Komision, kanë votuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare. Kundër ishte vetëm Lista Serbe.

Ministri Stavileci duke prezantuar Projektligjin para Komisionit tha se pas shumë konsultimesh, pune mjaft të madhe dhe intensive është arritur të bëhet një projektligj i cili ka për synim që Trepçës t’i hap rrugën për të pasur një status të mirëfilltë zhvillimor.

“Duke e ditur që Trepça nuk mund të jetë si ndërmarrjet tjera, ne kemi menduar që kjo ndërmarrje ta ketë më shumë një karakter të korporatës, e cila  do të qeveriset nga parimet më të mira të qeverisjes kooperative”, tha ai, duke shtuar se dy parimet themelore në të cilat janë bazuar janë dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Miniera dhe Minerale, ku përcaktohet se resurset minerare janë pronë e Kosovës.

Sipas tij, është gjetur një variant i pranueshëm për shumicën e palëve, një formulë të përshtatshme, e cila i jep një stabilitet Trepçës dhe i hap rrugë perspektivës zhvillimore të saj.

Komisioni vlerësoi se ky projektligj është i një rëndësie të veçantë ngase përkufizon pronësinë, hap perspektiven zhvillimore, përcakton aspektet organizative dhe qeverisjen korporative.

Më tej Komisioni nënvizoi se Draftligji ka dhënë zgjidhje optimale për interesin publik, interesin e punëtorëve, interesin e komuniteteve minerare dhe gjithashtu hap perspektiven e shndërrimit të Trepçës një kompani atraktive për investitorë nga radhët e aksionarëve dhe gjithashtu edhe sektorit privat.

Andaj, Komisioni i rekomandon Kuvendit të bëjë shmangien e Rregullores së Kuvendit, dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit Nr. L-120 për Trepçën të bëhet me në Seancën Plenare të datës 7.10.2016.

'