4515 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 28.04.2016 - Sektori i Teknologjisë Informative dhe Komunikuese është njëri nga sektorët që mund të jap kontributin më të madh në rritjen ekonomike të vendit tonë dhe njëkohësisht përfshirjes më të madhe të potencialit femëror në këtë fushë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci në hapje të Konferëncës “Gjinia dhe TIK”, që u mbajt sot në ambientet e AUK në Prishtinë.

Konferenca është organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK nën patronatin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në partneritet me AUK, USAID, Fondacionin Ipko, etj.

Ministri Stavileci tha me këtë rast se MZHE është e angazhuar që t’i jap një frymëmarrje tjetër këtij sektori dhe ta vendos kështu në qendër të politikave ekonomike të vendit tonë. “TIK është njëri nga sektorët e vetëm që mund ta ndihmojë zhvillimin ekonomik, sepse është një ‘Cross over value” sepse i ndërlidh të gjithë sektorët. Konsideroj se sektori i bujqësisë dhe TI-së mund të jenë bartëse të zhvillimit ekonomik ngase dyjat bashkë përbëjnë 24 % të GDP-së sonë, njëra 11 % e tjetra 13%”, tha ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kosova tashmë ka iniciativë për një program për krijimin e vendeve të punës dhe të konkurrueshmërisë në sektorin privat, i cili është emërtuar  Kosovo Digital Economy, projekti KODE që do t’i ketë tri shtylla kryesore; a) infrastruktura digjitale, b) shkathtësitë digjitale dhe c) bizneset digjitale.

Numri një i MZHE-së ka shtuar se po punohet në koordinimin e aktiviteteve në drejtim të avancimit të këtij sektori dhe duke i dhënë një vend meritor femrave në TIK me çka do të transformohej ky sektor.

Nga ana tjetër, Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie vlerësoi se sektori i TIK-ut ofron mundësi të mira për zhvillim, inovacion dhe punësim, që është edhe më e rëndësishme. “Duhet ta zvogëlojmë hendekun në mes të gjinive, nxitja e më shumë grave të reja për të hyrë në sektorin e TIK-ut, është mënyra më e mirë për ta përmbushur këtë barazi”, është shprehur ambasadori Delawie duke shtuar se karrierat në TIK janë dinamike, fleksibile edhe paguhen mirë.

Ndërsa, Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu, tha se femrat nuk zgjedhin të studiojnë matematikën apo teknologjinë informative, andaj ne duhet t’i inkurajojmë ato që të studiojnë në këto drejtime dhe vajzat e reja duhet ta kuptojnë se TIK nuk është vetëm profesion i meshkujve, por edhe i femrave.

Ndërsa në emër të Bankës Botërore, Lundrim Aliu tha se fuqizimi i grave nuk është i rëndësishëm vetëm për to, por rëndësia shtrihet edhe tek fëmijët, familja e tyre, dhe tek ekonomia në përgjithësi. Sipas tij femrat në Kosovë po  përballen me sfida të mëdha në tregun e punës dhe kjo situatë theksohet më shumë në zonat rurale.

Më tej, konferenca ka vazhduar me prezantimet me temë “Ndërmarrësia në TIK: rruga e suksesit”, ku kane prezantuar, Ferdinand Kjærulff, KSHE i CodersTrust, Danimarkë; Nele Kapretz, KSHE i Impact Hub, Berlin dhe Mërgim Cahani, KSHE i Gjirafa, Prishtinë.

Gjithashtu, pjesë e kësaj Konference ishte edhe Panairi i Punës në TIK dhe punëtori të ndryshme të mbajtura nga partnerë të ngjarjes.

'