4511 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 18.01.2016 - Fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit elektronik është promotori më i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, prandaj MZHE është munduar që t’i ndajë hapësirën e merituar nëpërmjet promovimit, miratimit të dokumenteve strategjike dhe veprimeve tjera që lidhen me sigurinë në këtë fushë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente Stavileci i bëri sot në Konferencën Ndërkombëtare dyditore me temën “Siguria Kibernetike dhe Privatësia” të organizuar nga MZHE në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Policia e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, etj, ku morën pjesë edhe shumë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, kompani dhe ekspertë të fushës.

“Po shohim që sot edhe në vendet me ekonomi të zhvilluar po transformohen të gjithë sektorët e ekonomisë duke i dhënë një drejtim dhe dimension krejtësisht tjetër nga ai që ishte në të kaluarën. Nga anketat e shumta rezulton se në të ardhmen më shumë se 50 për qind e profesioneve të së ardhmes do të jenë nga fusha e TIK-ut”, tha Stavileci.

Sa i përket rreziqeve që bart kjo fushë, Stavileci tha se MZHE së bashku me Ministrinë e Brendshme,  Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bankën Botërore  dhe hulumtues të Universitetit të Oksfordit, respektivisht  Qendrën Kibernetike janë duke punuar një raport unifikues për sigurinë kibernetike, i cili njëkohësisht do të japë rekomandime dhe orientime, e që do të jetë embrioni i Strategjisë së re për mbrojtjen kibernetike.

Ndërsa, Mentor Hoxhaj kryesues i grupit për organizimin e konferencës bëri të ditur se në kuadër të kësaj konference janë 30 njohës të fushës kibernetike, të cilët do të demonstrojnë dhe testojnë sigurinë e Web faqeve dhe njëkohësisht do të na informojnë se si mund të mbrohemi nga krimi kibernetik, respektivisht sulmi i faqeve apo të dhënave të çfarëdo fushë.

Bedri Hamza Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës tha se siguria kibernetike kërkon një qasje më të avancuar ngase nuk është  vetëm brengë e ekspertëve të teknologjisë së informacionit, por është problem i institucioneve si tërësi. Sipas tij, kjo kërkon trajtim aktiv nga nivelet më të larta udhëheqëse dhe se mbrojtja e informacionit në posedim është çështje prioritare e institucioneve bashkëkohore dhe ato duhet te kenë strategji të bazuar të sigurisë kibernetike si dhe të marrin veprime adekuate.

Konferenca dyditore “Siguria Kibernetike dhe Privatësia” zhvillohet në tri seanca, në të cilat folës më me ndikim rreth Sigurisë Kibernetike dhe Privatësisë, të ndarë në katër panele do të flasin për temat: Krimi Kibernetikë, Siguria Kibernetike Financiare, Siguria Kibernetike Kombëtare, Privatësia.

'