4491 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 17.06.2015 - Qeveria e Kosovës në kuadër të pakos së përgjithshme të reformave është përqendruar në reformimin e legjislacionit e të bërit biznes me qëllim të eliminimit të burokracisë së tepërt dhe zhvillimit më të hovshëm ekonomik edhe në nivelin lokal, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi.

Këto komente Zv.ministrja Zogaj-Gashi i bëri sot në konferencën me temën “Prishtina, shansi që nuk po shfrytëzohet”, që u organizuar nga REA-Prishtina, ku u trajtua gjendja aktuale socio-ekonomike në Prishtinë dhe pasojat, ku morën pjesë zyrtarë të KK të Prishtinës, asociacione të biznesit dhe shoqëria civile.

“Kosova për herë të parë do ta ketë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, që është iniciuar nga Qeveria, e cila do të përmbajë prioritete strategjike kombëtare, që do të shërbejnë si orientim me rastin e zhvillimit të masave dhe veprimeve zbatuese nga institucionet e vendit në drejtim të zhvillimit”, tha ajo.

Sipas saj, krahas fillimit të punës për themelimin e Fondit Zhvillimor, ndërmarrjen e nismës për themelimin e Fondit për mbështetje të kompanive në sektorin Teknologjisë së Informacionit dhe inovacionit, janë duke u shqyrtuar mundësitë dhe modalitetet për rritjen efiçiencës së energjisë ku si përfitues do të jenë kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Zv.ministrja Zogaj-Gashi u shpreh se mundësitë e financimit të prioriteteve lokale nuk kufizohen vetëm në të hyrat tatimore, por ekzistojnë mundësi të tjera siç janë modalitetet e partneritetit publiko-privat, e gjithashtu mundësitë për financimin e prioriteteve dhe projekteve të autoriteteve lokale përmes kredive.

Në fund numri dy i MZHE-së, tha se përcaktimi i synimeve dhe objektivave kërkon një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët, qytetarin, komunitetin e biznesit, autoritetet qendrore dhe lokale.

'