4393 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë, 28.10.2016 - Fuqizimi i grave, më shumë se një qëllim, është një proces kompleks, i cili kërkon mbështetjen e të gjithë faktorëve, por mbi të gjitha vendosmërinë dhe vullnetin e vet gruas. Gruaja duhet të jetë faktor kyç në secilin proces dhe vendimmarrje dhe jo në bazë të faktorit gjinor, por për shkak të kapaciteteve dhe profesionalizmit që ka dëshmuar ndër vite, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi.

Këto komente Zv.ministrja i bëri sot në konferencën, “Gratë e fuqizuara: Çelës për shoqëri të transformuara”, që u mbajt në Prishtinë nën organizim të Institutit “Demokraci për Zhvillim” (D4D) në kuadër të Programit Transformimi i Konflikteve, që përkrahet nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Misioni i USAID-it në Kosovë.

“Këtë vit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë një mision të veçantë, në mënyrë që të zbatoj Strategjinë Kombëtare për Zhvillim që kap periudhën 2016-2021. Ne vlerësojmë se një synim i tillë mund të realizohet vetëm duke siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, e veçanërisht të grave”, tha Zogaj-Gashi.

Sipas saj,  Qeveria jo rastësisht ka trajtuar si prioritet Strategjinë Zhvillimore të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre.

Zv.ministrja tha gjithashtu se është bërë përpjekje në përmirësimin e ambientit të biznesit, gjë e cila u tregua edhe në raportin e fundit të BB-së, e cila reflektohet në statistika të grave pronare të bizneseve, të cilat janë regjistruar në vitin 2015.

“Përderisa në vitin 2014 kanë qenë 17% të bizneseve gra, sot gratë drejtojnë 24.5% të bizneseve dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo shifër të mos jetë më e lartë në të ardhmen”, tha Zogaj-Gashi.

Ndryshe, qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i sfidave dhe rekomandimeve si rezultat i diskutimeve të realizuara me institucione dhe organizata të ndryshme, me gratë e komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

'