4357 - Galeria_single | MMPH

'

Prishtinë 26.11.2015 - Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për zhvillimin e sektorit të  energjisë nga  burimet e ripërtëritshme, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kështu ka deklaruar  zëvendësministrja e Zhvillimit  Ekonomik Besa Zogaj Gashi, gjatë inaugurimit të Hidrocentralit të parë “ Brodi 2” në fshatin Mlikë  Komuna e Dragashit.Gashi tha se ky hidrocentral është një investim i mirë i cili do të ndikojë në zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të kësaj ane.

Gashi bëri të ditur se Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE)  në bashkëpunim me USAID dhe Bankën Botërore është duke punuar në mënyrë që lejet apo licencat e kompanive, të cilat duan të investojnë në Kosovë të kenë lehtësira për të vepruar dhe investuar në Kosovë. Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Usmen Ballxhi,  ka bërë thirrje që investitorët të drejtohen nga kjo komunë, ngase sipas tij ekzistojnë kushtet dhe kapacitetet për të realizuar projekte të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve të kësaj komune.

Nga ana tjetër Yll Shamolli, përfaqësues nga Kompania “Eurokos JH”, duke falënderuar të gjithë përkrahësit e projektit siç janë; MZHE, MMPH, ZRRE, Komunën e  Dragashit dhe KEDS tha se ky projekt është investim slloven-kosovarë, ndërsa projekti përfshinë 5 Hidrocntrale vlera e të cilëve është 16 milionë euro.

Ndërsa Shaban Shabani, kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit tha se investime të tilla ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të kësaj ane prandaj ka ftuar investitorët të ndihmojnë këtë komunë.

Ndryshe, projekti synon  arritjen e standardeve evropiane për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme i cili promovon jetë të shëndoshë dhe ekologjike, duke mos i shkaktuar dëme mjedisit dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor.

'